Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Në Tiranë u mbajt Samiti BE – Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, me pjesëmarrjen e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një moment vendimtar për rajonin dhe Europën, duke theksuar se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë që tani nga integrimi gradual në tregun e përbashkët evropian.
Në përfundim të Samitit kryeministri Rama dhe Komisionerja Kos dolën në një konferencë për mediet. Rama foli për pikat në të cilat u fokusua ky takim.
“Kanë qenë 40 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor, nga samiti vjetor i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek konferenca e investimeve BE – Ballkani Perëndimor në edicionin e saj të dytë në Tiranë dhe sot Samiti i planit të ri të rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri dhe siç e konfirmoi edhe komisionerja, Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15% plus shumës së saj, në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera.
Katër ishin drejtimet e diskutimit të brendshëm, sepse katër janë drejtimet e kësaj pune të madhe të përbashkët.
Së pari, reformat. Reformat që forcojnë sundimin e ligjit, qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital.
Së dyti, integrimi hap pas hapi në tregun e vetëm europian. 11 muaj më parë Shqipëria hyri në sistemin europian të transaksioneve të parasë dhe të pagesave (SEPA) dhe në 11 muaj janë përpunuar 788,000 transaksione me një vlerë prej 8.7 miliardë euro. Dhe kursimet deri tani të shqiptarëve falë hyrjes në këtë sistem janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është për deri në 71 milionë euro në vit kursime nga xhepi i qytetarëve shqiptarë dhe i bizneseve vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët europian të pagesave, jashtë të cilit këto 20 milionë euro do të kishin ikur tani nga xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe do ishin nëpër bankat e Europës.
Nga ana tjetër, regjimi i roamingut është duke u shtrirë edhe për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor, por edhe për qytetarët që vizitojnë vendin tonë dhe vendet tona. Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi ynë është që në 2027-ën qytetarët tanë të kenë tarifa të reduktuara të roamingut. Ne jemi edhe folës aktivë shumë në telefon, ndërkohë që, siç e dini, përpara disa vitesh kur kompania Vodafone publikoi konsumatorët më të mëdhenj të mesazheve, ishte përpara daljes së WhatsApp-it, ne ishim njëshat.
Së treti, investimet dhe inovacioni. Konferenca që u mbyll mbrëmë shfaqi të gjithë potencialin e rajonit, por njëkohësisht krijoi premisa për një sërë ndërveprimesh mes bizneseve. Në ndërkohë që, siç u fol edhe në diskutimet e brendshme, Bashkimi Europian përmes komisionit dhe nën udhëheqjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit të drejtuar nga komisionerja, është duke eksploruar hapa të tjerë të integrimit në tregun e përbashkët, me detaje mbase do të flasi vetë komisionerja.
Së katërti dhe e fundit, korridoret. Korridoret e transportit, interkoneksionet energjitike, rrjetet digjitale janë investime në aftësinë e ekonomive tona për të tregtuar dhe për t’u rritur së bashku. Por natyrisht që diskutimi i sotëm shkoi dhe përtej zbatimit të planit të rritjes, në funksion të një modeli të integrimit ekonomik më të thellë në tregun europian, por duke mos harruar asnjëherë se sa më shumë ta integrojmë vetë Ballkanin Perëndimor, aq më shumë do të ndihmojmë ekonomitë tona, sepse siç e nënvizoi komisionerja, deficitet e integrimit rajonal janë ende të mëdha dhe rëndojnë në kapacitetin e tregut rajonal për të dhënë më të mirën në aspektin ekonomik. Dhe solli si shembull turizmin, ku ende ka vështirësi për lëvizjen e lirë të grupeve të turistëve që duan të vizitojnë në të njëjtën kohë më shumë se sa një vend të rajonit dhe fillojnë historitë me ndalesa, me kërkesa, me viza e me ku di unë se çfarë.
Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi 2027-ën. Komisionerja thotë që, e dëgjuat edhe dje, 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për komisionin. Për ne po ashtu, ne jemi Shqipëria, kështu që nuk diskutohet se s’ka si të jetë viti i dikujt tjetër. Por pak po i sigurt është që ne nuk do të lëmë asgjë mangut nga ana jonë, duke i plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi, jo sepse na i kërkon zysha që kam në krah, por sepse i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë.
E nesërmja e fëmijëve tanë, e nesërmja e vendit tonë na imponon që t’i bëjmë pikë për pikë këto detyra, sepse çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë. Është një detyrë e kryer në funksion të përmbylljes së shtetbërjes europiane të Shqipërisë. Është një detyrë e kryer në funksion të konsolidimit të institucioneve në Shqipëri. Se më fal, mund të flasim sa duam për ky e ai, ajo e ata dhe ato, por në fund diferencën e bëjnë institucionet. Dhe mangësitë e institucioneve janë ato që na dallojnë akoma nga vendet të cilave duam t’u ngjajmë sa më shumë dhe sa më mirë.
Kështu që ne nuk kërkojmë absolutisht asnjë dhuratë, nuk kërkojmë asnjë bypass, nuk kërkojmë asnjë mbyllje të syve, ne kërkojmë vetëm maksimumin e detyrave dhe të marrim maksimumin”, tha Rama./ad
