Vera shoqërohet me temperatura të larta dhe, natyrisht, me prerje më të shkurtra. Por me ardhjen e vjeshtës, edhe flokët marrin frymëzim nga stina. Temperaturat më të ulëta sjellin gjatësi më të mëdha, ndërsa ngjyrat bëhen më të ngrohta dhe më të pasura. Nëse po kërkon një ndryshim për fillimin e sezonit të ri, kjo mund të jetë shenja që të duhet për të rezervuar një takim te parukierja.
Këtë vjeshtë po marrin vëmendje nuanca si bjondja e mjaltit, kafja çokollatë dhe e kuqja me reflektime të arta, por nuk është e nevojshme të angazhohesh me një ngjyrë të vetme. Disa fije të vendosura me kujdes, më të çelëta ose më të errëta, mund t’u japin flokëve më shumë thellësi dhe ngrohtësi pa pasur nevojë për një ndryshim të plotë të ngjyrës.
Pra, këtë sezon nuk bëhet fjalë thjesht për t’i errësuar flokët. Në fokus është ngrohtësia: bionde me nuanca mjalti, kafe me shkëlqim, të kuqe të ndezura dhe kombinime më të sofistikuara të këtyre ngjyrave.
1. Biondja e artë me fije platini të theksuara

Biondja e artë merr një pamje më tërheqëse me fije platini të theksuara, të cilat krijojnë kontrast dhe ndriçim pa e humbur ngrohtësinë e bazës. Parukieri Novotny e ka realizuar së fundmi këtë pamje për Kim Petras, duke kombinuar fije platini të ftohta me një bazë të pasur në të artë. Rezultati është një pamje me frymëzim nga e kaluara, por që duket ende moderne.
2. Rrënjë kafe çokollatë me reflektime gështenje

Për një ngjyrë kafe që nuk duket aspak e zakonshme, kombinimi i rrënjëve kafe çokollatë me reflektime gështenje sjell më shumë ngrohtësi dhe pasuri. Novotny e ka realizuar këtë pamje për Julia Fox, duke ndërthurur nuanca gështenje me bazën më të errët për një rezultat të butë dhe natyral.
3. Mjaltë i ngrohtë

Kjo ngjyrë kombinon një kafe të artë dhe të ngrohtë me nuanca të kuqe dhe bakri. Është një variant i pasur dhe i thellë, i cili përshtatet me shumë tonalitete të lëkurës dhe i jep pamjes një shkëlqim të gjallë e natyral.
4. Karotë

Kjo ngjyrë e kuqe e ndezur duket sikur sjell vetë peizazhin e vjeshtës në flokë. E frymëzuar nga Ginger Spice, ngjyra është përdorur edhe nga modelja dhe krijuesja e përmbajtjes Meredith Duxbury, e cila e ka kombinuar me një prerje të shkurtër dhe moderne.
5. Pjeshkë e pjekur

Ngjyra pjeshkë e pjekur është një tonalitet i butë, i ngrohtë dhe i lehtë, që ndërthur portokallinë e zbehtë me nuanca delikate rozë. I ngjan ngjyrës së frutit nga i cili merr emrin dhe krijon një pamje të çelët, pastel, diku mes ngjyrës së pjeshkës, portokallisë dhe një tonaliteti natyral.
6. Gështenjë e pjekur

Nëse kërkon një ngjyrë të ngrohtë dhe komode për vjeshtën, gështenja e pjekur mund të jetë zgjedhja e duhur. Nuanca që mban Lana Del Rey ndërthur disa tonalitete të ngrohta të flokëve kafe, duke krijuar një rezultat të pasur dhe të thellë që përshtatet me atmosferën e vjeshtës.
7. Erëz e ndezur

Pas tonaliteteve neutrale dhe pastel të verës, vjeshta sjell ngjyra më të guximshme. Parukierja dhe koloristja Clara Purvis veçon flokët në ngjyrë pjeshke me nuanca kanelle të Ice Spice.
Sipas saj, për të arritur këtë ngjyrë nevojiten disa procese dhe mirëmbajtje e vazhdueshme, por ajo ka një avantazh: nuk zbehet aq shpejt sa tonalitetet e kuqe të errëta.
8. Biondja me lule

Këtë vjeshtë mund të zgjedhësh një ngjyrë më të ngrohtë dhe më të ndritshme. Parukierja Glennda Rommelaere sugjeron biondet e buta me një bazë kremoze, si biondja në tonalitetin e kafesë me qumësht dhe biondja e mjaltit, pasi japin një pamje më natyrale.
9. Krem me kafe

Ashtu si pija nga e cila merr emrin, kjo ngjyrë flokësh bazohet në një kombinim nuancash që qëndron diku mes kafesë me qumësht tërshëre dhe kafesë së çelët me qumësht.
Amanda Seyfried e ka mbajtur këtë kombinim të butë, por të gjallë, me nuanca rozë dhe portokalli që krijojnë një efekt të ngrohtë, sikur flokët të jenë ndriçuar nga dielli.
10. Qershi e artë

Kjo nuancë kombinon tonalitete të ngrohta dhe të arta me reflektime të kuqe më të errëta, duke krijuar një ngjyrë qershie me shkëlqim të artë. Rezultati është një tonalitet i ndezur dhe intensiv, me një shkëlqim që të kujton flakën./k.m
