Kreu i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka rezervoi kritika për Sali Berishën në tryezën e thirrur me aleatët për të unifikuar strategjinë kundër draftit të PS për hartën e re territoriale. Ndoka e cilësoi gabim pjesëmarrjen në komision që në hapat e parë, ndërsa Berishën e akuzoi se i ka lënë aleatët jashtë këtij procesi. Sipas tij, dëgjesat mes PS e PD dukeshin si muaj mjalti.
Kritika pati edhe për propozimin e PD-së për ndarjen e vendit në 100 bashki, duke argumentuar se Shqipëria mund të ketë mbi 200 njësi vendore.
Nard Ndoka: Është një gabim themelor që ne morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë. Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa, nuk dinim fare. Ne duhet të ishim prezentë me përfaqësuesit tanë, opozita duhet të ishte aty. Edhe propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është eficient, është një numër shumë i vogël. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti.
Këtu ka një tendencë, doktor, që të ketë një goditje të pluralizmit, edhe përmes Kodit Zgjedhor, por edhe përmes kësaj reforme territoriale. Edhe numri 100 duhet të ishte shumë më i madh. I kemi mundësitë të kemi mbi 200 bashki në vend. Ne përballemi me emra në zgjedhjet lokale dhe e djathta ka pasur emra më përfaqësues se e majta.
E kemi parë këtë film, e dimë përfundimin. Do të përballemi në fushatë elektorale. Ne kemi përballë një person që ka grup kriminal, është mjeshtër për blerjen e votës. Zvogëlimi i këtyre bashkive na vendos në disavantazh, ndaj vendimmarrja jonë duhet të jetë shumë e rëndësishme. Mirë do ishte që këto tryeza të ishin bërë më para. Duhet bashkëpunim institucional që edhe të na informoni, ne kemi qenë në terr informativ.
Sali Berisha: Kjo është një opozitë në diktaturë. Një opozitë në diktaturë ka dy opsione, ose të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve. Asnjë kusht për të qenë brenda në institucione nuk ka, asnjë e drejtë e saj nuk respektohet, por braktisja e institucioneve është interesi më i mirë i diktaturës. Kemi të bëjmë me dikë që e do opozitën të jetë jashtë institucioneve, por dalja jashtë institucioneve i shërben vetëm atij. Këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij, zgjidhje tjetër në këtu do jemi. Të presim se Ramën do ta largojë SPAK, nuk e largon dot SPAK, të gjitha këto që po bën tani, ai i bën vetëm për veten e tij./k.m
