“Hëna Blu”, një fenomen që ndodh kur në një muaj kalendarik shfaqen dy hëna të plota, dhe e dyta prej tyre njihet si “blue moon”.
Pavarësisht emrit, Hëna nuk ndryshon ngjyrë. Ajo do të shfaqet me nuancën e saj tipike të bardhë ose të artë. Termi “Hënë Blu” lidhet vetëm me kalendarin dhe jo me pamjen reale të saj në qiell.
Sipas astronomëve, ky fenomen ndodh mesatarisht çdo dy deri në tre vite, si pasojë e mospërputhjes midis ciklit hënor dhe gjatësisë së muajve kalendarikë. Një cikël hënor zgjat rreth 29.5 ditë, duke bërë që herë pas here një muaj të ketë dy hëna të plota.
Ekziston gjithashtu edhe një tjetër variant, i quajtur “Hënë Blu sezonale”, kur në një stinë shfaqen katër hëna të plota dhe e treta prej tyre quhet “blue moon”.
Fenomeni i këtij viti përkon gjithashtu me një “mikro-hënë”, pasi Hëna do të ndodhet në një nga pikat më të largëta të orbitës së saj nga Toka. Megjithatë, diferenca në madhësi nuk do të jetë e dukshme për syrin e lirë.
Distanca e saj nga Toka pritet të jetë rreth 406 mijë kilometra, më e madhe se mesatarja prej 384 mijë kilometrash.
Ekspertët theksojnë se ky është një moment ideal për vëzhgim dhe fotografim, sidomos gjatë lindjes së Hënës, kur qielli ka ende nuanca të perëndimit dhe pamja është më mbresëlënëse.
Ky fenomen astronomik vjen si pjesë e një serie ngjarjesh qiellore që përfshijnë edhe shira meteorësh dhe eklipse, duke e bërë këtë periudhë një nga më të pasurat për adhuruesit e qiellit dhe astronomisë.
Në fund, ndonëse “Hëna Blu” tingëllon e veçantë, ajo mbetet një Hënë e zakonshme në pamje, por e rrallë në kalendar./mxh
