Përgatiti: Leonard Veizi
Më 23 janar 1916, në një kohë kur Shqipëria dhe trojet shqiptare endeshin mes luftërash, tradhtish dhe pazare diplomatike, u shua me pabesi një nga figurat më emblemë të qëndresës kombëtare: Isa Boletini. Plumbat e forcave malazeze nuk vranë vetëm një njeri, por një simbol të gjallë të kryengritjes shqiptare, një figurë që për dekada kishte mishëruar dinjitetin e armës dhe besën e malësorit në mbrojtje të tokës së vet…
…Isa Boletini ishte bërë emër i njohur dhe i frikshëm për pushtuesit në mbarë Vilajetin e Kosovës. Që nga fundi i shekullit XIX, ai kishte hyrë në histori si pjesëmarrës aktiv i lëvizjeve kombëtare dhe i përpjekjeve për vetëdije politike, në kohën kur Lidhja e Prizrenit po përpiqej t’i jepte zë dhe formë aspiratës shqiptare për autonomi dhe mbijetesë kombëtare. Emri i tij qarkullonte në odat e burrave dhe në raportet e administratave të huaja si sinonim i rezistencës së armatosur dhe i mosnënshtrimit.
Në vitet e turbullta që pasuan, Isa Boletini nuk mbeti vetëm prijës lokal. Ai u shndërrua në figurë mbarëkombëtare. Në vitin 1914, gjatë sundimit jetëshkurtër të Princ Vidit, u caktua ndër rojet e tij, jo thjesht si një akt formal sigurie, por si dëshmi e autoritetit moral dhe ushtarak që Boletini gëzonte në sytë e shqiptarëve. Prania e tij në Durrës ishte përpjekje për të ruajtur një ekuilibër të brishtë mes një shteti të sapolindur dhe stuhive që e rrethonin nga të gjitha anët.
Por kulmi i veprimtarisë së tij mbetet viti 1912, kur Isa Boletini udhëhoqi forcat kryengritëse kundër pushtimit osman, duke e çuar luftën nga malet e Kosovës drejt horizontit të pavarësisë. Ai ishte aty, në Vlorë, përkrah Ismail Qemalit, në ditën kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë – një akt shprese që do të pasohej shpejt nga zhgënjimi i madh i Konferencës së Londrës më 1913, ku kufijtë e shtetit të ri u cunguan dhe troje të tëra shqiptare u lanë jashtë.
Fillimet
U lind në kullën e familjes në Boletin, pranë Mitrovicës, asokohe në sundimin e Perandorisë Osmane. Pas ngritjes së Lidhjes së Prizrenit, Isa mori pjesë në betejën e Slivovës kundër forcave të rregullta osmane më 22 prill 1881. Manastiri i Sokolicës mbrohej nga Isa me të vëllanë e madh, Ahmetin. Pas ndodhive të kazanë e Mitrovicës kundrejt serbëve, Perandoria Ruse i vë kusht Stambollit hapjen e një konsullate ruse në Mitrovicë më 7 maj 1902. Boletini shpalli se shtëpitë e mbarë shkjeve do të digjeshin po qe se do të hapej “kangjallozi i Miskovit në Mitrovicë”. Raportohet se më 29 shtator iu dorëzua autoriteteve osmane dhe se do të falej për bëmat e tij të deriatëhershme, më 24 nëntor mbërriti në Stamboll, ku u caktua në krye të dyfekxhinjve, siç ishte mënyra e qeverisjes e Sulltan Abdyl Hamidit për të bërë për vete krerë të zëshëm vendorë. Pasi shërbeu si kreu i dyfekxhinjve për katër vite, u kthye me çifligje që i ishin caktuar si shpërblim për shërbimi dhe grada ushtarake në milicinë vendore. U bë njeriu më i famshëm dhe më i pasur i Mitrovicës, mblodhi pasues të armatosur dhe mblodhi armatime e financime si nga serbët duke pasur gjithashtu një linjë telegrafike drejtpërdrejtë me Pallatin Jëlldëz, si kapedan vendor i sulltanit.
Luftimet
Gjatë Revolucionit Xhonturk më 1908, u bë një mbledhje e madhe e parisë shqiptare njohur si Kuvendi i Ferizajt për të përkrahur rikthimin e kushtetutës, ndërsa Boletini me krerë të tjerë e shihnin këtë si shenjë pabesie ndaj sulltanit. U tërhoq nga kuvendi para se të merrej ndonjë vendim, duke kuptuar dobësinë e pozitave të tij. Thuhej se sulltani i kishte kërkuar ndihmë Boletinit që të zhbënte kuvendin e mbajtur në Ferizaj. Ai ishte besnik ndaj sulltanit ndonëse më 1908 i kishte ndihmuar fillimisht xhonturqit. Komiteti “Bashkim e përparim” pas gati një muaji të kthimit të Kushtetutës vendosi t’i jepte vëmendje gjakmarrjes në Vilajetin e Kosovës, dhe nga fundi i vitit masa të ashpra u morën nga vendorët – Nexhip bej Draga me anëtar të tjerë të parisë së Kosovës e shihnin Boletinin si pengesë dhe besnik të sulltanit dhe loboi për ndalimin dhe arrestimin e tij, Draga donte vendosjen e rendit të ri ligjor, ndërsa Boletini donte privilegjet e vjetra caktuar nga koha e sulltanit. Pasi ia arriti të ndërhynte përmes Komitetit të Selanikut që qeveria të merrte masa ndaj Boletinit, i dërguan një oficer të shoqëruar për t’i dhënë Boletinit një urdhër gjykate që t’i kthente të quajturit Haxhi Alisë çifligun që kishte qenë më parë i tij para se t’ia jepte sulltani. Boletini përqeshi urdhrin, përzuri autoritetet që më pas e sulmuan, Isa mundi të ikte me njerëzit e tij, por kulla iu dogj.
Gjatë kundër-revolucionit të prillit 1909 Isa me krerë të tjerë i ofruan sulltanit ndihmën e tyre. Më 15 maj 1909 Xhonturqit, duke vazhduar mohimin e të drejtave kombëtare shqiptare, vijuan me fushata kundër atyre që nuk paguanin taksat e reja të caktuara në Stamboll. Në Mitrovicë u caktua gjeneral i brigadës 18 Xhavid Pasha, ku zëvendësoi Shemsi Pashën e vrarë (vëllamë i Isës), për të përvijuar një vazhdë operacionesh ndaj malësorëve shqiptarë për dorëzimin e armëve dhe në veçanti për ta kapur. Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910 me Hoxhë Said efendiun, Nexhip bej Dragën, Hasan Prishtinën, Mehmet pashë Derallën, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Idriz Seferin. Isa me shumë krerë të tjerë të Pejës e Gjakovës mbajtën qëndrim ndaj trupave osmane, gjë që çoi në gjakderdhje e bombardimin e fshatrave shqiptare. Pas revoltave të herëpashershme në Vilajetin e Kosovës, prillin e 1910 qeveria xhonturke vendosi krijimin e një korpusi ushtarak të posaçëm për “shtrimin” e Shqipërisë, në krye të të cilit u vu gjenerali Turgut Pasha. Në bashkëpunim me Idriz Seferin dhe krerët shqiptarë, Isa i priu betejave të rënda në grykën e Kaçanikut, Zagovac, Çernalevë, Kabash e Virnaglava.
Kryengritja 1912
Në pragun e revoltës, qeveria serbe punoi me disa banda kaçake shqiptarësh që të ishin të gatshme të vendosnin në vështirësi osmanët dhe me atë qëllim iu vardisën edhe Boletinit përmes organizatës terroriste Dora e Zezë. Më 23 prill 1912 njerëzit e Hasan Prishtinës çuan krye në Malësinë e Gjakovës dhe u përhapën më tej. Më 20 maj së bashku me krerë të tjerë, Boletini mori pjesë në kuvendin e Junikut ku u dha besa dhe u nënshkrua një shpallje, për t’i shpallur luftë qeverisë xhonturke përmes kryengritjes së armatosur në Vilajetin e Kosovës. Shqiptarët e Sanxhakut të Prishtinës të kryesuar nga Isë Boletini, Xhemal beg Prishtina dhe Beqir agë Vulçiterna i thyen turqit në Llap e Gollak dhe më pas zunë Prishtinën me pëlqimin e banorëve, përkundrejt komandantit vendor. Krerët mësynë Shkupin, të cilin e zunë më 12-15 gusht të 1912, së bashku me Riza Begin mendonte të shkonte në Selanik për të liruar sulltanin dhe nuk ishte për autonomi – sipas Hasan Prishtinës. Më 18 gusht Prishtina arriti t’i bindte krerët luajalistë që të binin në ujdi me autoritetet osmane për të drejtat sociopolitike e kulturore shqiptare. Boletini u paqtua dhe u kthye për në shtëpinë e vet pas premtimeve për autonomi vilajeteve shqiptare. Në gusht, kolonel Dragutin Dimitrijeviq “Apis” i Dorës së Zezë, i dërgoi një letër që me pasuesit e tij t’i ndihte serbët në luftë kundër osmanëve.
Epilogu
Isa Buletini u vra prej malazezve, me afrimin e trupave austro-hungareze më 23 janar 1916 në Podgoricë, pas një lufte të ashpër disa orëshe. Austriakët erdhën vonë dhe nuk arritën ta shpëtojnë atë dhe 17 bashkëluftëtarët e tij.
Vdekja e Isa Boletinit ishte mbyllja tragjike e një jete të ndërtuar mbi armë, besë dhe atdhe. Ai u vra pabesisht, por mbeti i pamposhtur në kujtesën historike. Figura e tij vazhdon të qëndrojë si një urë mes epokës së kryengritjeve dhe lindjes së shtetit shqiptar, si dëshmi se liria nuk erdhi si dhuratë, por si çmim i gjakut dhe i qëndresës së atyre që nuk pranuan të jetonin të përkulur.
Në korrik të vitit 2011, mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës.
