Përgatiti: Leonard Veizi
Më 3 nëntor 1957, Bashkimi Sovjetik ndërmori një tjetër hap të rëndësishëm në garën për pushtimin e hapësirës. Vetëm një muaj pas lëshimit të Sputnik 1, satelitit të parë artificial të Tokës, Moska dërgoi në orbitë Sputnik 2, një mjet hapësinor shumë më të madh dhe më kompleks. Por këtë herë, në bordin e tij nuk ndodheshin vetëm instrumente shkencore. Ai mbante edhe një pasagjere të gjallë: një qenush me emrin Laika.
Laika u bë qenia e parë e gjallë që orbitonte Tokën, duke hyrë në historinë e eksplorimit hapësinor. Ishte një qenush i vogël, i gjetur në rrugët e Moskës, që shkencëtarët sovjetikë e përzgjodhën për një mision nga i cili ajo nuk do të kthehej më.
Vendimi për ta dërguar Laikën në hapësirë nuk ishte një eksperiment i zakonshëm. Në vitet e para të Luftës së Ftohtë, gara mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara ishte zhvendosur edhe përtej atmosferës së Tokës. Çdo arritje shkencore kishte njëkohësisht vlerë politike, ushtarake dhe propagandistike. Pas suksesit të Sputnik 1, udhëheqja sovjetike kërkonte një tjetër demonstrim të epërsisë teknologjike.
Sateliti Sputnik 2 u përgatit me ngut. Ai peshonte rreth 508 kilogramë dhe ishte pajisur me një ndarje të posaçme për Laikën, sisteme furnizimi me oksigjen, ushqim dhe pajisje për monitorimin e funksioneve të saj jetësore. Në trupin e qenushes ishin vendosur elektroda që regjistronin rrahjet e zemrës, frymëmarrjen dhe reagimet e organizmit gjatë nisjes dhe qëndrimit në mungesë të gravitetit.
Më 3 nëntor, raketa R-7 u ngrit nga kozmodromi Bajkonur, në territorin e Kazakistanit të sotëm. Sputnik 2 arriti me sukses orbitën e Tokës. Laika ishte tashmë udhëtarja e parë e gjallë që rrotullohej rreth planetit tonë.
Megjithatë, pas këtij suksesi fshihej një e vërtetë tragjike. Sputnik 2 nuk ishte projektuar për t’u kthyer në Tokë dhe as nuk ekzistonte një teknologji që mund ta sillte Laikën të gjallë në shtëpi. Që në fillim, misioni ishte konceptuar si një udhëtim pa kthim.
Fillimisht, autoritetet sovjetike njoftuan se Laika kishte mbijetuar disa ditë në orbitë dhe se vdekja e saj kishte qenë e parashikuar. Për shumë vite, versioni zyrtar mbeti i paqartë. Vetëm më vonë u bë e ditur se qeni kishte ngordhur pak orë pas nisjes, si pasojë e mbinxehjes së kabinës dhe stresit të shkaktuar nga fluturimi. Sistemi i kontrollit termik nuk kishte funksionuar siç duhej dhe temperatura brenda kapsulës ishte rritur në nivele vdekjeprurëse.
Ndërkohë, vetë Sputnik 2 vazhdoi të qarkullonte rreth Tokës. Ai përshkonte një orbitë eliptike, duke kryer një rrotullim të plotë rreth planetit në afro 103 minuta. Instrumentet shkencore transmetuan të dhëna për kushtet fizike në hapësirë dhe ndikimin e fluturimit orbital mbi organizmin e gjallë. Transmetimet shkencore pushuan më 10 nëntor 1957, kur bateritë e satelitit u shterën.
Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm: Laika nuk qëndroi 162 ditë në hapësirë. Kaq zgjati qëndrimi orbital i Sputnik 2, i cili u shkatërrua gjatë rihyrjes në atmosferën e Tokës më 14 prill 1958, pasi kishte përshkuar mijëra herë orbitën e planetit.
Misioni i Sputnik 2 pati një rëndësi të veçantë për zhvillimin e fluturimeve hapësinore. Ai siguroi të dhëna të para mbi reagimin e organizmit të gjallë ndaj kushteve të orbitës, të cilat do të shërbenin për përgatitjen e fluturimeve të ardhshme me njerëz. Tre vjet më vonë, sovjetikët do të dërgonin sërish kafshë në hapësirë, këtë herë duke arritur t’i rikthenin të gjalla në Tokë.
Më 12 prill 1961, Juri Gagarini do të bëhej njeriu i parë që fluturoi në hapësirë dhe përshkoi orbitën e Tokës.
Laika nuk pati mundësinë ta shihte këtë ditë. Ajo mbeti një nga viktimat e para të garës hapësinore, një mision i cili, nga pikëpamja shkencore, shënoi një arritje të rëndësishme, por nga pikëpamja njerëzore dhe etike hapi një debat që vazhdon edhe sot: deri ku mund të shkojë shkenca në emër të përparimit?
Sputnik 2 u dogj në atmosferën e Tokës, ndërsa emri i Laikës mbeti në historinë e eksplorimit të kozmosit.
