Më 6 shkurt 1958, bota e futbollit u trondit nga një prej fatkeqësive më të mëdha në historinë e saj. Shtatë futbollistë të ekipit të njohur anglez Manchester United humbën jetën në një aksident të rëndë ajror në Mynih të Gjermanisë, duke lënë pas një plagë të thellë në sportin britanik dhe më gjerë.
Avioni i kompanisë “British Airways”, që transportonte skuadrën dhe shoqëruesit e saj, u përfshi nga flakët menjëherë pas përpjekjes për t’u ngritur nga aeroporti Riem i Mynihut. Në bord ndodheshin 38 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Mosha mesatare e futbollistëve që humbën jetën ishte vetëm 24 vjeç – një brez i ri talentesh që premtonte të ardhme të ndritur për klubin anglez.
Mes viktimave ishin kapiteni Roger Byrne, si dhe Mark Jones, Eddie Colman, Tommy Taylor, Liam Whelan, David Pegg dhe Geoff Bent. Në këtë tragjedi humbën jetën edhe tetë gazetarë sportivë britanikë dhe disa zyrtarë të klubit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 21 persona. Mbretëresha Elizabeth II reagoi menjëherë, duke u shprehur se ishte “thellësisht e tronditur” nga ngjarja.
Skuadra e Manchester United po kthehej në Angli pas një ndeshjeje të Kupës së Evropës kundër Crvena Zvezdës në Beograd dhe ishte ndalur në Mynih për furnizim me karburant. Pas dy përpjekjeve të dështuara për ngritje, në tentativën e tretë avioni doli nga pista, u përplas me një shtëpi, më pas me një ndërtesë tjetër dhe shpërtheu në flakë.
Menaxheri i ekipit, Matt Busby, pësoi plagë të rënda dhe u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa sulmuesi i ri Bobby Charlton shpëtoi me dëmtime të lehta në kokë. Sipas drejtuesve të kompanisë ajrore, aeroporti i Mynihut ishte përfshirë atë ditë nga një stuhi e fortë dëbore, gjë që kishte shkaktuar vonesa dhe shqetësime teknike, përfshirë dyshime mbi funksionimin e njërit prej motorëve.
Ky ishte aksidenti i parë fatal për atë model avioni, i cili që nga hyrja në shërbim në vitin 1952 kishte transportuar mbi 2.3 milionë pasagjerë në rreth 86 mijë fluturime. Tragjedia e Mynihut mbeti një moment i errët në historinë e futbollit, por edhe një kujtesë e dhimbshme e brishtësisë së jetës përtej lavdisë së fushës së blertë.
