Që nga viti 1861, rreth 30 milionë italianë kanë kërkuar fatin e tyre jashtë vendit. Atje janë përballur me të njëjtat paragjykime që sot u rezervohen shpesh emigrantëve që mbërrijnë në Itali.
Midis viteve 1861 dhe 1985, pothuajse 30 milionë italianë u larguan nga vendi. Sikur e gjithë popullsia e Italisë në fillim të shekullit XX të kishte marrë rrugët e emigracionit. Mbi 14 milionë prej tyre u larguan në dekadat pas bashkimit të Italisë, gjatë periudhës së njohur si “Emigracioni i Madh” (1876–1915).
Emigracioni i Madh
Qytete të tëra, si Padula, në provincën e Salernos, panë popullsinë e tyre të përgjysmohej gjatë dekadës që ndante shekujt XIX dhe XX. Pothuajse një e treta e emigrantëve zgjodhi Amerikën e Veriut si destinacionin e ëndrrave, një kontinent që kishte nevojë të madhe për fuqi punëtore.
Destinacionet
Nju Jorku dhe Shtetet e Bashkuara ishin destinacionet më të njohura, por jo të vetmet. Emigrantët nuk vinin vetëm nga Italia e Jugut. Për shembull, gjenovezët ishin nisur drejt Argjentinës dhe Uruguait shumë kohë përpara vitit 1861.
Ashtu siç ndodh edhe me emigrantët që mbërrijnë sot në Itali, ata nuk e nisnin aventurën me gjithë familjen. Emigracioni planifikohej pothuajse gjithmonë si një largim i përkohshëm dhe ata që merrnin rrugën e mërgimit ishin zakonisht burra beqarë.
Përjashtim bënte emigracioni i madh fshatar, kur familje të tëra nga Veneto dhe Italia e Jugut u shpërngulën drejt Brazilit, veçanërisht pas heqjes së skllavërisë në atë vend, më 1888, dhe shpalljes së një programi të gjerë kolonizimi.
Udhëtimet e shpresës
Zakonisht, ata që largoheshin nga rajonet veriore hipnin në anije në portet e Gjenovës ose të Le Havre-it, në Francë. Ndërsa emigrantët nga Jugu niseshin kryesisht nga Napoli.
Raporti mes pasagjerëve të klasit të parë dhe atyre të klasit të tretë ishte 5 mijë me 17 mijë. Dallimet në trajtim për këta të fundit ishin të tmerrshme: një dyshek i mbushur me kashtë dhe një utural për çdo 100 persona ishin të vetmet lehtësi që u ofroheshin gjatë një udhëtimi që mund të zgjaste edhe një muaj.
Për shumë prej tyre, Ellis Island, në Gjirin e Nju Jorkut, ishte porta e hyrjes në Botën e Re. Por jo të gjithë arrinin deri atje. Shumë vdisnin gjatë udhëtimit, ndërsa ata që mbërrinin duhej t’u nënshtroheshin kontrolleve të rrepta shëndetësore nga autoritetet amerikane. Ekzistonte frika se emigrantët italianë mund të sillnin sëmundje, si trakoma, një infeksion i syve që mund të shkaktonte verbëri.
Kontrollet mjekësore pasoheshin nga një vlerësim i gjendjes mendore dhe aftësive të tyre. Ata që nuk i kalonin ekzaminimet, të cilat mund të zgjasnin deri në tri ditë, mbaheshin në qeli. Në rrobat e personave që rezultonin të papërshtatshëm vendosej një shenjë në formën e shkronjës X dhe ata ktheheshin mbrapsht.
Në dokumentet e lëshuara për emigrantët italianë, pranë fjalës “white” (i bardhë), që përcaktonte ngjyrën e lëkurës, ndonjëherë vendosej edhe një pikëpyetje. Ishte një tjetër dëshmi e paragjykimeve racore me të cilat përballeshin italianët në një pjesë të shoqërisë amerikane.
Shumë prej tyre vdiqën pa arritur ta shihnin kurrë Botën e Re. Për ata që mbërrinin dhe kalonin filtrin poshtërues të zyrës së emigracionit në Ellis Island, fillonte një tjetër sfidë: integrimi.
Nëse në Amerikën e Jugut përshtatja me jetën në atdheun e ri ishte më e lehtë, në Shtetet e Bashkuara ajo shndërrohej në një betejë të vërtetë. Për këtë arsye, shumë emigrantë italianë preferuan të vendoseshin në lagje të veçanta, të njohura si “Little Italy”, dhe të frekuentonin shkollat famullitare. Kjo prirje bëri që përhapja e gjuhës angleze në disa komunitete të ishte më e ngadaltë.
Paragjykimet
Në Shtetet e Bashkuara, ku skllavëria ishte hequr vetëm pak dekada më parë, qarkullonte mendimi se italianët nuk ishin të bardhë, “por as të zinj në mënyrë të dukshme”. Në Australi, një tjetër destinacion i emigracionit italian, ata u cilësuan si “pushtimi i lëkurës së ullirit”.
Etiketimet nuk përfundonin këtu. Italianët përshkruheshin si “një racë inferiore” ose si pjesëtarë të një “race vrasësish, anarkistësh dhe mafiozësh”.
Edhe presidenti amerikan Richard Nixon, në një bisedë të përgjuar në vitin 1973, përdori një gjuhë të ashpër dhe fyese për italianët. Ai deklaronte: “Ata nuk janë si ne. Dallimi është se kanë erë të ndryshme, duken ndryshe, sillen ndryshe. Problemi është se nuk mund të gjesh një të ndershëm”.
Kuotat dhe kufizimet
Në Shtetet e Bashkuara, emigracioni italian pësoi një rënie të ndjeshme pas Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1921, Akti i Kuotave të Emergjencës vendosi kufizime mbi numrin e emigrantëve që mund të vinin nga vende të ndryshme, veçanërisht nga Evropa Jugore dhe Lindore. Në atë kohë mbizotëronte bindja se popullsitë e këtyre rajoneve, përfshirë italianët, ishin më pak të afta për t’u asimiluar në shoqërinë amerikane.
Vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet që pasuan, integrimi i italianëve amerikanë mori një hov të dukshëm. Shërbimi i shumë prej tyre në ushtrinë amerikane dhe pjesëmarrja në përpjekjet e luftës ndihmuan në kapërcimin gradual të paragjykimeve dhe në forcimin e përkatësisë së tyre në shoqërinë amerikane.
Nëpër Evropë
Ndoshta edhe për këtë arsye, pas Luftës së Dytë Botërore pati një valë të re emigracioni italian drejt Shteteve të Bashkuara. Por ndërkohë ishte hapur edhe një rrugë tjetër, drejt Evropës Veriore. Franca, Gjermania dhe Belgjika u kthyen në destinacionet kryesore të emigrantëve italianë.
Megjithatë, as në këto vende italianët nuk u pritën krahëhapur. Rreth 50 për qind e tyre, sipas të dhënave të cituara, u larguan në mënyrë të parregullt dhe pa pasur një vend pune të siguruar.
Ata duhej të përballeshin me ligje kufizuese, paragjykime shoqërore dhe vështirësi të mëdha në kalimin e kufijve. Por shpresa për një jetë më të mirë ishte më e fortë se pengesat. Për miliona italianë, emigracioni nuk ishte thjesht një udhëtim drejt një vendi tjetër, por një përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë dhe për të ndërtuar një të ardhme që vendi i tyre nuk mund t’ua garantonte.
Burimi: focus.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
