Ideja e jetës së përtejme etruske, nga pikturat në nekropole e deri te organizimi i varrimeve, tregon historinë e ngritjes dhe rënies së këtij populli.
Nga Franco Capone/ Focus
Etruskë është emri që historianët i kanë dhënë një populli të Italisë antike, banues i zonës së Toskanës, Umbries perëndimore dhe Lazios veriore. Vetë romakët u referoheshin atyre si Tusci ose Etrusci, ndërsa grekët i njihnin si tirrenë. Në gjuhën e tyre, ata e quanin veten Rasenna ndërsa vendin e tyre Rasna.
Kultura e identifikuar si etruske u zhvillua pas vitit 800 p.e.s. dhe krijoi një qytetërim me gjuhë dhe kulturë të përbashkët që formoi një federatë qytet-shtetesh. Në shtrirjen e saj më të madhe, rreth vitit 750 p.e.s., gjatë periudhës së themelimit të Mbretërisë Romake, ajo mbulonte jo vetëm Toskanën, Umbrian dhe Lazion e sotme, por edhe Luginën e Po-së, Emilia-Romagnën, Lombardinë jug-lindore, Veneton jugore dhe Kampaninë perëndimore. Në këtë kulm, civilizimi lulëzoi në tre konfederata të mëdha qytetesh: ajo e Etrurisë, ajo e Luginës Po me Alpet lindore, dhe ajo e Latiumit dhe Kampanias.
Reduktimi i territorit ishte gradual, por pas vitit 500 p.e.s. ekuilibri politik i pushtetit në gadishull u zhvendos përfundimisht nga etruskët në favor të Republikës Romake në rritje. Asimilimi përfundimtar ndodhi në shekullin IV p.e.s., megjithëse qytetet e fundit etruske u përvetësuan plotësisht nga Roma vetëm rreth vitit 100 p.e.s.
Një nga elementët më unikë të tyre mbetet gjuha. Etruskët besohet se flisnin një gjuhë jo indo-evropiane, pjesë e familjes së izoluar Tyrseniane. Që prej Rix-it (1998), pranohet gjerësisht se gjuha Raetike dhe ajo Lemniane janë të lidhura me etruskishten. Kjo teori përforcon edhe tezën e Herodotit (484-425 p.e.s.) për origjinën e tyre nga Lidia në Anadoll: analiza gjenetike të Alberto Piazza-s nga Universiteti i Torinos, të prezantuara në Konferencën Evropiane të Gjenetikës Njerëzore në 2007, treguan një afinitet të madh gjenetik mes banorëve të Volterrës dhe atyre të ishullit Lemnos, ku flitej një gjuhë e ngjashme jo-indo-evropiane.
Shembujt më të hershëm të njohur të shkrimit etrusk janë mbishkrimet e gjetura në Etrurinë jugore që datojnë rreth vitit 700 p.e.s. Ata zhvilluan një sistem shkrimi që rrjedh nga alfabeti eubean, i përdorur në Magna Graecia. E përshtatën atë me fonemat e tyre, duke e përmbysur drejtimin: ndryshe nga i yni, shkrimi i tyre shkonte nga e djathta në të majtë dhe më vonë u bë boustrofedik, domethënë ndryshonte drejtim në çdo rresht.
Scylla
Një përbindësh deti me krahë, Scylla, me një trup femre nga beli lart dhe pjesa e poshtme në formën e një peshku me dy bishta: ishte një demon, por në kuptimin e mirë të termit, sepse në imagjinatën e etruskëve me dashamirësi i barti shpirtrat në shpinë në jetën e përtejme. Shpirtrat të cilët më pas u pushtuan nga një tjetër demon femër, Vanth, gjithashtu me krahë, i cili i udhëhoqi në errësirë me një pishtar. Varri i demonëve me krahë, në nekropolin e Sovanës (Grosseto) tërheq vëmendjen jo vetëm për këto paraqitje skulpturore, por edhe për luanët e skalitur mbrojtës, dikur të ngarkuar me fuqi magjike nga priftërinj të fuqishëm.
Ky është vetëm një nga dhjetëra varret e gjetura. Sovana, edhe pse pak e njohur, është një nga nekropolet më të mëdha etruske. I gërmuar në shtuf, ai u konceptua si një qytet i të vdekurve, me rrugë dhe sheshe të vogla, në një kodër përballë qytetit të të gjallëve, të ndarë prej tij nga ujërat e një përroi. Vendi ideal sot për të rizbuluar etruskët e vërtetë, përtej romanizimit që mbërriti më vonë, dhe shpifjeve të grekëve, tepër patriarkalë dhe “filozofikë” për të miratuar një shoqëri ku gratë ishin të emancipuara dhe të menduarit magjik bashkëjetonte me aftësinë detare dhe teknikat e avancuara bujqësore.
Në fakt, etruskët ishin pionierët e bujqësisë dhe urbanizimit në Italinë e lashtë, zotërit e padiskutueshëm të Mesdheut dhe për rrjedhojë aktorët e parë të globalizimit përmes tregtisë. Jeta po shkonte aq mirë për ta, saqë ata madje kishin një pikëpamje optimiste për vdekjen. Dhe nekropolet e vërtetojnë këtë.
Jeta e përtejme e qetë
“Nëse nekropolet u konceptuan si qytete të të vdekurve”, shpjegon arkeologia Elisabetta Santarelli, “varret ishin shtëpitë e tyre, ku varret garantonin rehati në jetën e përtejme. Një koncept i huazuar nga egjiptianët me të cilët etruskët bënin tregti”. Por edhe në fazën më arkaike, të quajtur Villanovane (shek. 10-8 p.e.s.), u shfaq koncepti i banesës: urnat bëheshin në formë “kasolleje” duke u nisur nga parimi se trupi nuk kishte rëndësi, sepse ajo që mbijetonte ishte shpirti.
Nga varret monumentale të princave deri te varret kubike për njerëzit gjithnjë e më të zakonshëm, në Sovana mjedisi i shtëpisë u rikrijua duke gërmuar format e tij në shtuf. Nëse shkojmë në Tarquinia (Viterbo), ku varret janë gdhendur nga shkëmbi shumë i fortë, është dizajni dhe ngjyra që karakterizojnë dhomat. I ndjeri portretizohet me një vezë në dorë, një simbol i rilindjes pas vdekjes.
Barazia gjinore
Por ndryshe nga grekët dhe romakët, shoqëria etruske kishte respekt të lartë për gratë. Në varret etruske gratë portretizohen duke marrë pjesë në bankete, lojëra dhe shfaqje. “Etruskët e mbanin emrin fisnik të nënës krahas atij të babait”, nënvizon Santarelli: “në kundërshtim me gratë romake, të thirrura vetëm nga gjini. Gratë etruske në vend të kësaj kishin një emër të duhur – Velelia, Ramutha, Thania, Larthia; ato zotëronin biznese tregtare, udhëtonin dhe lëviznin të pavarura, merrnin pjesë në lojëra sportive dhe bankete; arrinin në poste priftërore dhe ndoshta ishin edhe magjistrate.”
Parashikimet më të mira
Një tjetër rekord i etruskëve kishte të bënte me artin e parashikimit të së ardhmes. Duke interpretuar fluturimin e zogjve dhe rënien e vetëtimës dhe, në mënyrë ekskluzive, duke lexuar mëlçinë e kafshëve, veçanërisht të deleve: mëlçia, siç tregohet nga një model bronzi i gjetur në Piacenza, ishte e ndarë konceptualisht në 40 kuadrate, secila prej të cilave pasqyronte një pjesë të qiellit. Sapo romakët u bënë sundimtarë, vazhduan t’i mbanin në konsideratë parashikuesit etruskë.
Perëndi si Tageti, që zbuloi artin e parashikimit, perëndesha e Hënës Losna, perëndia i konfederatës së 12 qytet-shteteve Voltumna, Fufluns – zoti i bimësisë dhe gëzimit, paraardhësi i Bacchus-it – apo Selvans, paraardhësi i Silvanusit romak, ishin ekskluzivë. Madje Triada Kapitolinë Jupiter, Juno dhe Minerva rrjedh nga triada etruske Tinia, Uni dhe Menvra.
Vdekje mizore
Ngjarjet historike u ndërlikuan duke filluar nga viti 474 p.e.s., data e disfatës së tyre në Cumae nga flota e Sirakuzës, e cila ua hoqi dominimin mbi Mesdheun. Kriza pati pasoja edhe në konceptimin e jetës së përtejme. Nga e shkujdesur, ajo bëhet një lloj Purgatori. Shpirtrat nuk transportoheshin më nga sirena e butë, por nga Charun i zymtë – jo Karoni romak me varkë, por një demon me krahë, me ngjyrë të kaltërosh, hundë shkaba dhe veshë të mprehtë.
Këtë e merrte përsipër Tuchulcha, me krahët dhe sqepin e një zogu grabitqar, veshë gomari dhe lëkurë të verdhë, i cili e “krasiste” shpirtin nga mëkatet. Me romanizimin, nga shekulli III deri në I p.e.s., pikturat etruske përfaqësojnë situata më të përgjakshme, duke u përshtatur me vizionin greko-romak ku shpirtrat enden të pangopur dhe të trishtuar.
Kështu, etruskët rivendosin edhe një paradigmë antropologjike: kur një shoqëri është e pasur dhe e lirë, ajo mund t’i lejojë vetes një ide më pak negative të vdekjes. Përkundrazi, kur është në rënie dhe e dominuar, frika nga fundi pushton.
