Përgatiti: Leonard Veizi
Më 11 gusht 1965, një ndalim i thjeshtë trafiku në lagjen Watts të Los Anxhelesit shënoi nisjen e një prej trazirave urbane më të mëdha në historinë e Amerikës së viteve ’60. Konflikti gjashtëditor la pas 34 të vdekur, mbi 1.000 të plagosur, rreth 4.000 të arrestuar dhe rreth 40 milionë dollarë dëme materiale. Megjithatë, pas flakëve dhe plaçkitjeve fshihej një histori e gjatë diskriminimi, varfërie dhe tensionesh racore.
Shkëndija e 11 gushtit
Në mbrëmjen e 11 gushtit 1965, në bulevardet Avalon dhe 116th Street, një patrullë e policisë ndaloi një makinë të drejtuar nga Marquette Frye, një i ri afrikano-amerikan, nën dyshimin se po ngiste në gjendje të dehur.
Ajo që duhej të ishte një procedurë rutinë u tensionua menjëherë. Kur banorët e zonës u mblodhën rreth vendngjarjes dhe u përhapën fjalë për brutalitet policor, debati degjeneroi në përleshje fizike dhe dhunë. Watts, një zonë e varfër dhe e izoluar, prej vitesh ziente nga pakënaqësitë e akumuluara për papunësinë, kushtet e rënda të jetesës dhe marrëdhëniet e thyera me autoritetet. Ndalimi i Frye-t ishte vetëm shkëndija.
Një qytet i ndarë dhe zemërimi i vjetër
Në vitet e pasluftës (1940-1950), Los Anxhelesi përjetoi një fluks të madh të popullsisë afrikano-amerikane që kërkonte punë dhe një jetë më të mirë. Megjithatë, ata u pritën me pengesa sistematike në strehim, arsim dhe punësim, duke u grumbulluar në lagje si Watts.
Përballë fasadës moderne të qytetit, banorët e Watts-it përjetonin një realitet ndryshe: Marrëdhënie të tensionuara me policinë dhe protesta të vazhdueshme para trazirave. Ndjenjë të thellë izolimi dhe papërgjegjshmërie institucionale. Një hendek të madh mes ëndrrës amerikane dhe jetës së përditshme.
Nga përplasja tek rebelimi dhe ndërhyrja ushtrake
Gjatë natës së parë, situata doli jashtë kontrollit me automjete të sulmuara, dyqane të plaçkitura dhe përleshje të dhunshme. Përpjekjet e udhëheqësve lokalë dhe kishave për të qetësuar gjakrat dështuan.
Pasi dhuna u përhap në të gjithë zonën dhe zjarrfikësit u sulmuan nga turma, shefi i policisë Uilliam H. Parker kërkoi mbështetje masive. Përballë përdorimit të armëve të zjarrit dhe bombave molotov, u desh ndërhyrja e rreth 14.000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Kalifornisë. Për gjashtë ditë, rrugët e mbushura me barrikada, pika kontrolli dhe ushtarë të armatosur i dhanë Watts-it pamjen e një zone lufte.
Pasojat dhe komisioni Mccone
Mëngjesin e 16 gushtit, rendi u rivendos, por bilanci ishte tragjik: 34 viktima (kryesisht afrikano-amerikanë, përfshirë edhe personel të sigurisë). Mbi 1.000 të plagosur dhe rreth 4.000 të arrestuar. Rreth 1.000 ndërtesa të dëmtuara ose të shkatërruara.
Për të hetuar shkaqet e këtij shpërthimi, u krijua Komisioni McCone (i drejtuar nga ish-drejtori i CIA-s, John McCone). Komisioni konkludoi se trazirat nuk ishin thjesht vepër e kriminelëve, por rezultat i drejtpërdrejtë i pabarazisë ekonomike, papunësisë, arsimit të dobët dhe racizmit institucional. Megjithatë, shumica e rekomandimeve të tij për investime dhe ndryshime sociale mbetën kryesisht në letër.
Nga Watts tek e ardhmja, një pasqyrë e amerikës
Vizita e Martin Luther King Jr. në Watts pas trazirave solli në vëmendje të gjerë faktin se dhuna urbane ishte simptomë e një sëmundjeje më të gjerë kombëtare. Pavarësisht miratimit të Aktit për të Drejtat Civile (1964) dhe atij për të Drejtat e Votës (1965), ndarja racore dhe diskriminimi i përditshëm vazhdonin të ushqenin krizën sociale në qytetet amerikane.
Watts u shndërrua në një precedent historik dhe paralajmërim për trazira të mëvonshme, si ato të vitit 1992 pas çështjes së Rodney King. Sot, Watts mbetet një kujtesë e gjallë e pasojave që sjell diferenca mes premtimeve për barazi dhe realitetit të vështirë shoqëror.
