nga Francesca Pierleoni
Nga një aktor i panjohur që luftonte për të mbijetuar në Hollywood, në krijuesin e një prej filmave më të famshëm në historinë e kinemasë. Rrugëtimi i Sylvester Stallone-s drejt suksesit do të rrëfehet në filmin biografik “I Play Rocky”, me regji të fituesit të Oscarit Peter Farrelly (“Green Book”), i cili do të ketë premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF).
Në rolin e Stallone-s shfaqet aktori 26-vjeçar Anthony Ippolito, ngjashmëria e të cilit me yllin amerikan në rininë e tij ka tërhequr menjëherë vëmendjen pas publikimit të trailerit.
Në mesin e viteve 1970, Sylvester Stallone ishte larg statusit të yllit të Hollivudit. Në moshën 30-vjeçare ai mbijetonte me punë të rastësishme dhe, pas shtatë vitesh përpjekjesh, kishte arritur vetëm role episodike ose paraqitje si figurant. Një nga përjashtimet ishte pjesëmarrja në filmin me buxhet të ulët “The Party at Kitty and Stud’s”, që më vonë mori famë vetëm për shkak të suksesit të aktorit.
Gjithçka ndryshoi në vitin 1976. I nxitur edhe nga bashkëshortja e tij e parë, Sasha Czack, Stallone vendosi të shkruante vetë historinë që kishte ëndërruar prej kohësh ta interpretonte. Lindi kështu skenari i “Rocky”, rrëfimi i një boksieri anonim, të mësuar me humbjen, i cili përfiton një mundësi të vetme për të ndryshuar fatin.
Producentët u entuziazmuan menjëherë nga skenari, por Stallone nuk pranoi të hiqte dorë nga një kusht: rolin kryesor duhej ta luante vetë. Ishte një bast i rrezikshëm, por që do të ndryshonte historinë e kinemasë.
Farrelly e sjell këtë periudhë vendimtare në “I Play Rocky”, një film që nuk synon të ribëjë klasikun, por të tregojë betejën e vërtetë që u zhvillua pas kamerave për ta realizuar atë.
Filmi është prodhuar nga Amazon MGM Studios dhe do të dalë në kinematë amerikane në nëntor, pikërisht 50 vjet pas premierës së “Rocky”, kryeveprës së regjisorit John G. Avildsen. Filmi origjinal fitoi tre çmime Oscar në vitin 1977, përfshirë edhe çmimin për Filmin më të Mirë, duke e kthyer Stallone-n në një ikonë botërore.
Traileri i publikuar së fundmi ka marrë reagime pozitive për kujdesin në rikrijimin e atmosferës së viteve ’70 dhe për rindërtimin pothuajse identik të disa prej skenave më të njohura të “Rocky”. Po aq mbresëlënëse është edhe ngjashmëria fizike mes Anthony Ippolito-s dhe Stallone-s së ri.
Kasti përfshin gjithashtu Matt Dillon në rolin e Frank Stallone Sr., babait të aktorit; AnnaSophia Robb si Sasha Czack; Kiki Seto si Talia Shire; Stephan James si Carl Weathers; PJ Byrne si producenti Irwin Winkler, si edhe Toby Kebbell, Tracy Letts dhe Jay Duplass.
Për t’u përgatitur për rolin, Anthony Ippolito tregoi se fillimisht iu desh të shtonte peshë.
“Stallone në atë periudhë ishte shumë muskuloz, ndërsa unë isha më i dobët. Më pas u zhyta sa më shumë në filmografinë e tij. Nuk u ndala vetëm te ‘Rocky’, por pashë edhe filmat e mëparshëm, si ‘The Lords of Flatbush’, si dhe sa më shumë intervista të vjetra që munda. Doja të përthithja mënyrën si fliste, si lëvizte dhe si mendonte.”
Edhe regjisori Peter Farrelly nuk e fsheh entuziazmin për projektin.
“Është një nga skenarët më të mirë që kam lexuar ndonjëherë. Ne nuk po përpiqemi të ribëjmë ‘Rocky’ – kjo do të ishte e pamundur. Duam të tregojmë çfarë sakrificash, refuzimesh dhe këmbënguljeje u deshën për ta bërë atë film. Kemi rikrijuar disa minuta nga skenat origjinale dhe besoj se publiku mezi do ta dallojë ndryshimin.”
Një përvojë po aq emocionale ishte edhe për Kiki Seto, e cila interpreton Talia Shire, aktoren që luajti Adrianën në filmin origjinal.
Ajo rrëfen se fillimisht studioi çdo material të mundshëm për Shire, lexoi libra dhe intervista, por momenti më i veçantë ishte kur vetë aktorja e telefonoi.
“Më tregoi si ishte jeta e saj në atë periudhë, si e ndërtoi personazhin e Adrianës, çfarë ndiente për të dhe sa shumë e vlerësonte Stallone-n. Ishte një bisedë e jashtëzakonshme dhe një ndihmë e paçmuar.”
“I Play Rocky” premton të mos jetë thjesht historia e lindjes së një filmi legjendar, por edhe portreti i një njeriu që, kur askush nuk besonte tek ai, vendosi të besonte vetë. Është rrëfimi i këmbënguljes, i refuzimeve dhe i guximit për të mos shitur ëndrrën – një histori që, paradoksalisht, duket po aq frymëzuese sa vetë “Rocky”.
