Last Updated on 11/09/2026 by EL
Holanda dhe Spanja po kërkojnë vendosjen e një moshe minimale të përbashkët në të gjithë Bashkimin Evropian për përdorimin e rrjeteve sociale, ndërsa Komisioni Evropian pritet të paraqesë javën e ardhshme propozimin e tij për kufizimin e aksesit të të miturve në platformat online.
Në një dokument të përbashkët të qeverive holandeze dhe spanjolle, të shpërndarë të premten, dy vendet argumentojnë se kufizimi duhet të jetë i harmonizuar dhe të zbatohet në nivel evropian, duke mos u kufizuar vetëm te rrjetet sociale. Sipas tyre, masat duhet të shtrihen edhe te videolojërat, chatbot-et me inteligjencë artificiale dhe shërbime të tjera dixhitale që paraqesin rrezik për të miturit.
Çështja e kufizimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit është bërë gjithnjë e më e rëndësishme në BE. Franca, Greqia, Austria, Danimarka, Spanja, Belgjika, Italia, Gjermania, Polonia dhe Holanda po shqyrtojnë ose kanë avancuar me ligje kombëtare për vendosjen e kufizimeve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi në maj se Brukseli do të paraqiste një propozim në nivel të BE-së, pikërisht për të shmangur krijimin e një mozaiku ligjesh të ndryshme kombëtare. Propozimi pritet të bëhet publik gjatë fjalimit të saj për gjendjen e Bashkimit Evropian javën e ardhshme.
Holanda dhe Spanja kërkojnë që çdo kufizim të jetë proporcional dhe të respektojë të drejtat themelore, përfshirë lirinë e shprehjes, të drejtën për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Përpara miratimit, sipas tyre, duhet të kryhet edhe një vlerësim i plotë i ndikimit të masës.
Dy vendet kërkojnë gjithashtu që rregullat të mos fokusohen vetëm te rrjetet sociale, por te mënyra se si funksionojnë algoritmet dhe dizajni i varësisë në shërbimet dixhitale. Kjo do të përfshinte edhe videolojërat dhe shërbimet e inteligjencës artificiale që funksionojnë si shoqërues virtualë.
Dokumenti propozon gjithashtu mundësinë që një platformë të përjashtohet nga kufizimi i moshës nëse arrin të provojë se shërbimi i saj është mjaftueshëm i sigurt për të miturit.
Holanda dhe Spanja kërkojnë që zbatimi të bëhet në mënyrë të unifikuar nga BE-ja, duke argumentuar se një qasje vetëm kombëtare do të dobësonte efektivitetin e masës. Si model propozohet Akti i Shërbimeve Digjitale (Digital Services Act), ku Komisioni Evropian ka tashmë rol rregullator ndaj platformave të mëdha online.
Dy qeveritë janë skeptike edhe ndaj përdorimit të pëlqimit prindëror si mënyrë për të anashkaluar kufizimin e moshës. Sipas tyre, një sistem i tillë do të ishte i vështirë për t’u zbatuar dhe mund të krijonte rreziqe shtesë për privatësinë.
Një element kyç i propozimit pritet të jetë verifikimi i moshës. Holanda dhe Spanja kërkojnë përdorimin e një aplikacioni të bazuar në kuadrin evropian për verifikimin e moshës, i cili do të konfirmonte vetëm nëse një person është mbi moshën e përcaktuar, pa mbledhur të dhëna të tjera personale, me synim minimizimin e ndërhyrjes në privatësi.
