Last Updated on 02/11/2026 by EL
Familjarë, miq, kolegë dhe figura të njohura të politikës e diplomacisë i dhanë mesditën e sotme lamtumirën e fundit diplomatit dhe ish-politikanit Bashkim Zeneli, i cili u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Gjatë homazheve të mbajtura pranë Sallës së Seancave Plenare të Kuvendit familjarë, miq, kolegë dhe personalitete të jetës politike e publike, teksa kujtonin mes lotësh Bashkim Zenelin, me lot në sy kujtuan virtytet dhe të mirat që ai mbarti gjatë gjithë jetës së tij.
Në mesin e dhjetrave personave që mbajtën fjalime prekëse për ndarjen nga jeta të ish-deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, më emocionues ishte momenti kur e bija, Valbona Zeneli, me lot në sy kujtoi figurën publike të të atit, si edhe vlerat njerëzore që e karakterizuan gjatë gjithë jetës.
Ajo e përshkroi Bashkim Zenelin si një njeri që rrezatonte drejtësi, zgjuarsi, vizion dhe butësi, ndërsa theksoi se ai nuk u përkul kurrë përballë injorancës dhe servilizmit, as gjatë komunizmit dhe as në vitet e mëvonshme.
“Nuk iu përkule kurrë injorancës dhe servilizmit, jo vetëm në komunizëm, por edhe sot. Pena jote nuk iu bind kurrë askujt. Ke respektuar të thjeshtin dhe ke sfiduar pushtetarin”, u shpreh ajo mes lotësh.
I jepet lamtumira e fundit Bashkim Zenelit
Duke vlerësuar kontributin e të atit në diplomaci, Valbona Zeneli kujtoi gjithashtu dashurinë dhe përkushtimin e prindërve të saj, ndërsa kujtoi se ishte rritur mes dashurisë, integritetit dhe kulturës.
“Si diplomat ke ndërtuar ura. Ke mbështetur shqiptarët kudo ku ke shërbyer dhe dera e shtëpisë sonë ka qenë e hapur gjithmonë. Ke shtruar shumë rrugë të integrimit të Shqipërisë në Europë. Ti flije gjumë qetë dhe e nisje ditën duke kënduar. E ke jetuar jetën me shumë dashuri, me kulturë dhe shumë libra. Ditën që u ngrite në qiell do të publikohej libri yt i katërt”, kujton mes lotësh Valbona.
Në përfundim të fjalës së saj, e bija e diplomatit u shpreh se kujtimi dhe vlerat e të atit do të mbeten një udhërrëfyes për familjen, ndërsa premtoi se do të kujdesen për mamanë e tyre ashtu siç babai do të dëshironte.
“Zemra jonë, je engjëlli më i bukur atje lart. Zoti i madh të desh me vete, po ti na le bekimet. Fjalët e tua plot dashuri për ne të treja. Babush je gjithmonë me ne, në këshillën e urtë, në një vendim të drejtë, në një fjalë pajtuese, në çdo përqafim dashurie, je në mënyrën se si do të ruajmë dinjitetin, si të mbrojmë familjen dhe sit ë përcjellim te fëmijët tanë vlerat dhe virtytet.
Emanulushi jot e bukur do të vazhdojë misionin tënd dhe do të na mbajë të mbledhur familjen tonë të madhe. Ne do t’i puthim duart çdo ditë, gjithmonë, ashtu si do doje ti. Zemrat tona janë të thyera sot, por plot me dashuri e kujtime për ty.”, përmbylli fjalën e saj Valbona Zeneli./et
