Përgatiti: Leonard Veizi
Në vitin 1784, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin ende një republikë e re, në kërkim të identitetit dhe simboleve që do ta përfaqësonin para botës, një nga Etërit Themelues më të shquar, Benjamin Franklin, shprehu hapur pakënaqësinë e tij ndaj zgjedhjes së shqiponjës si simbol kombëtar i Amerikës. Nga Parisi, ku shërbente si diplomat amerikan, Franklini i shkruante vajzës së tij, Sarah Bache, në Filadelfia, me një ton ironik dhe kritik:
“Për Amerikën, gjeldeti do të ishte më simbolik.”
Kjo fjali, që sot tingëllon si një anekdotë plot humor, mbart në të vërtetë një debat serioz mbi moralin, karakterin dhe imazhin që duhej të kishte kombi i ri amerikan.
Një komb i ri dhe nevoja për një stemë
Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1776, Kongresi Kontinental krijoi një komision të posaçëm për të hartuar stemën zyrtare të Shteteve të Bashkuara. Qëllimi ishte i qartë: Amerika duhej të kishte një simbol që të shprehte lirinë, sovranitetin dhe virtytet republikane, të dallueshme nga monarkitë evropiane.
Benjamin Franklin, Thomas Jefferson dhe John Adams ishin ndër anëtarët e parë të këtij komisioni. Secili prej tyre solli ide të ndryshme, shpesh të frymëzuara nga Bibla, antikiteti klasik dhe alegoritë morale.
Propozimet e Franklin-it, virtyt mbi madhështi
Franklini nuk ishte i bindur se një shpend grabitqar ishte zgjedhja e duhur. Ai e konsideronte shqiponjën si një zog “me moral të dyshimtë”, që shpesh grabit prenë e zogjve më të vegjël dhe nuk jeton gjithmonë nga puna e vet. Për Franklini-n, ky nuk ishte modeli që duhej të mishëronte republika amerikane.
Si alternativa, ai kishte propozuar më herët simbole të tjera:
-Gjarpri i shtëpisë, të cilin e shihte si një krijesë vigjilente, të fuqishme dhe të drejtë, që nuk sulmon pa u provokuar.
-Skena biblike e Moisiut dhe Faraonit, me mbishkrimin simbolik “Let my people go” (“Lëre popullin tim të shkojë”), një alegori e drejtpërdrejtë e çlirimit të kolonive amerikane nga sundimi britanik.
-Gjeldeti, të cilin Franklini e quante një zog autokton të Amerikës së Veriut, guximtar në mbrojtjen e territorit të vet dhe, mbi të gjitha, jo tiranik.
Në letrën e tij të vitit 1784, ai theksonte se gjeldeti, megjithëse i përqeshur, ishte më i ndershëm dhe më përfaqësues për shpirtin e amerikanëve sesa shqiponja.
Debati mbi shpendin simbol
Komisionet e njëpasnjëshme që u morën me hartimin e stemës shqyrtuan disa figura simbolike dhe alegorike. Në qarkullim ishin ide të ndryshme që përfshinin shpendë, figura mitologjike dhe skena historike. Ndër shpendët që u përmendën në diskutime ishin:
-Gjeldeti, si simbol autokton;
-Pëllumbi, si shenjë paqeje;
-Feniksi që ngrihet nga flakët, simbol i rilindjes së një kombi të ri nga hiri i kolonializmit;
-Shqiponja, si figurë e fuqisë, vigjilencës dhe sovranitetit.
Megjithatë, ideja e një shqiponje me dy koka, e njohur në heraldikën evropiane dhe bizantine, nuk u bë pjesë e serioze e projektit amerikan, pasi do të sillte asociacione monarkike dhe perandorake, pikërisht ato nga të cilat Amerika donte të shkëputej.
Zgjedhja përfundimtare: shqiponja me kokë të bardhë
Më 1782, pas gjashtë vitesh diskutimesh dhe drafte të shumta, Kongresi miratoi stemën zyrtare të Shteteve të Bashkuara. Në qendër të saj u vendos shqiponja me kokë të bardhë (bald eagle), një shpend karakteristik i Amerikës së Veriut, i panjohur në Evropë dhe, për rrjedhojë, një simbol autentik amerikan.
Në stemë, shqiponja mban në një kthepër degën e ullirit – paqen – dhe në tjetrën shigjetat – gatishmërinë për luftë, duke përfaqësuar ekuilibrin mes forcës dhe diplomacisë.
Një polemikë që mbeti në histori
Megjithëse mendimi i Benjamin Franklin-it nuk triumfoi, kritika e tij mbeti një nga episodet më interesante të historisë simbolike amerikane. Ajo dëshmon se edhe në themel të një shteti të madh, debatet nuk kanë të bëjnë vetëm me pushtetin, por edhe me etikën, karakterin dhe mesazhin që një komb dëshiron t’i japë botës.
Sot, shqiponja me kokë të bardhë është një nga simbolet më të njohura në botë. Por diku, në hijen e historisë, gjeldeti i Franklin-it vazhdon të na kujtojë se Amerika mund të kishte zgjedhur një rrugë shumë më të pazakontë për të treguar kush ishte – dhe çfarë donte të përfaqësonte.
