Hungaria miratoi hapjen e grupeve negociuese 2 dhe 3 në kuadër të procesit të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i cili deklaroi se vendimi u dha sot në nivelin e COREPER-it, organi që përfaqëson ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
Sipas Sybihas, miratimi lidhet me pozicionet negociuese për Cluster 2 “Tregu i Brendshëm” dhe Cluster 3 “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”.
“Anëtarësimi i Ukrainës në BE po ecën hap pas hapi. Ukraina dhe Hungaria po ndërmarrin hapa drejt njëra-tjetrës dhe drejt unitetit evropian së bashku”, deklaroi Sybiha në rrjetin social X.
Ministri ukrainas përmendi gjithashtu regjistrimin në parlamentin ukrainas të një projektligji që synon rregullimin e të drejtave arsimore të popujve autoktonë dhe personave që u përkasin pakicave kombëtare.
Sipas autoriteteve ukrainase, nisma synon të rregullojë të drejtat arsimore të komuniteteve kombëtare, veçanërisht të atyre gjuhët e të cilëve janë gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian, dhe të përmbushë një pjesë të angazhimeve të Ukrainës në kuadër të integrimit evropian.
Kryetari i Komitetit të Parlamentit ukrainas për Arsimin, Shkencën dhe Inovacionin, Serhii Babak, tha se projektligji synon të adresojë çështjet e të drejtave arsimore të pakicave kombëtare.
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, ka deklaruar se parlamenti pritet të rifillojë punimet më 12 tetor dhe të shqyrtojë një sërë projektligjesh që lidhen me integrimin evropian dhe zhbllokimin e procesit të negociatave për anëtarësimin në BE.
Hapja e grupimeve të reja negociuese përbën një tjetër fazë në procesin e gjatë të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian./Mxh
