Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka deklaruar se protesta qytetare, pavarësisht kohëzgjatjes së saj, e ka përmbushur qëllimin që sipas saj lidhet me dobësimin e qeverisë dhe figurave kryesore politike në vend.
E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Hajdari u shpreh se protesta është një sinjal i fortë për klasën politike, duke argumentuar se politikanët janë të frikësuar nga reagimi qytetar.
“Mendoj që kjo protestë është e suksesshme dhe mendoj që e ka arritur qëllimin e saj. Qëllimi ka qenë dobësimi i Edi Ramës. Ka dobësuar Edi Ramën, ka dobësuar Sali Berishën dhe të gjithë ata të cilët sot fshihen”, deklaroi Hajdari.
Sipas saj, deputetët duhet të distancohen nga frika politike dhe të dëgjojnë më shumë kërkesat e qytetarëve.
“Politikanët sot i shikoj shumë të frikësuar. Ata që shkojnë në protestë, shumë larg protestës rrinë. Duhet ta vrasin edhe këta frikën”, tha ajo.
Hajdari u shpreh gjithashtu se edhe nëse protesta do të përfundonte menjëherë, ajo ka lënë një ndikim të rëndësishëm politik.
“Sido që të shkojë kjo protestë, edhe të shuhet nesër, unë mendoj që e ka arritur qëllimin. Edi Rama, sado të rrijë në pushtet, pas kësaj proteste është në të keqen e tij sepse ai e ka humbur legjitimitetin”, deklaroi ish-deputetja.
Ajo shtoi se sipas saj kryeministri ka humbur besimin e qytetarëve dhe se kjo do të ndikojë në mënyrën se si do të shihet në të ardhmen./ad
