Last Updated on 25/06/2026 by Kesjana
Një seri e pazakontë tërmetesh goditi veriun e Venezuelës më 24 qershor, duke shkaktuar shembje ndërtesash në kryeqytetin Karakas dhe duke detyruar mijëra banorë të kalojnë natën jashtë. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti kryesor me magnitudë 7.5 u parapri vetëm 39 sekonda më herët nga një goditje tjetër me magnitudë 7.2.
Epiqendra e lëkundjes së parë u lokalizua rreth 28 kilometra në veriperëndim të Montalbánit, në një thellësi prej afërsisht 13 kilometrash. Më pak se një minutë më vonë ndodhi goditja e dytë, më e fortë, pak më në veri të së parës. Sipas USGS, lëkundjet lidhen me sistemin e çarjeve tektonike Boconó-Morón-El Pilar, i cili shtrihet përgjatë bregdetit verior të Venezuelës deri në Trinidad. Bëhet fjalë për çarje ku blloqet e kores së Tokës lëvizin horizontalisht në drejtime të kundërta, duke shkaktuar tërmete të fuqishme pa ngritje ose ulje të dukshme të terrenit. Menjëherë pas tërmeteve u aktivizua alarmi për cunami në Porto Riko dhe Ishujt Virgjinë, por paralajmërimi u hoq pak më vonë.
Ndërkohë, sistemi PAGER i USGS, që vlerëson automatikisht pasojat njerëzore dhe ekonomike të një tërmeti, lëshoi dy alarme të kuqe të veçanta për dy goditjet. Ky nivel alarmi konsiderohet shumë i rrallë dhe aktivizohet zakonisht vetëm një ose dy herë në vit në mbarë botën.
USGS paralajmëroi se janë të mundshme “një numër i lartë viktimash dhe dëme të gjera”, ndërsa katastrofa mund të ketë përmasa të mëdha në zonat e prekura. Pamjet nga kryeqyteti tregojnë shkallën e dëmeve. Sipas raportimeve ndërkombëtare, një ndërtesë 22-katëshe në lagjen Altamira është shembur plotësisht. Banorët kërkonin të afërmit e tyre mes rrënojave, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët vijojnë operacionet. Raportohet gjithashtu për dëmtime dhe shembje të pjesshme të disa ndërtesave të tjera në lindje të Karakasit, ndërsa shumë rrugë mbeten të bllokuara. Megjithëse Venezuela ndodhet pranë disa çarjeve tektonike, tërmete kaq të fuqishme janë relativisht të rralla krahasuar me vende si Kili apo Meksika. Sipas mediave amerikane, këto lëkundje janë ndër më të fortat që kanë goditur vendin në më shumë se një shekull.
Tërmeti më i afërt për nga magnituda ishte ai i 21 gushtit 2018, me magnitudë 7.3, i cili shkaktoi alarm për cunami në Karaibe, por pa viktima në Venezuelë.
Tre tërmete të forta në një ditë
E mërkura u shënua nga tre tërmete të fuqishme në pjesë të ndryshme të botës: në Japoni (6.9), Venezuelë (7.5 dhe 7.2) dhe Kaliforni të SHBA-së (5.6). Sizmologia Lucy Jones nga Caltech ka sqaruar se ngjarjet nuk kanë lidhje mes tyre, pasi kanë ndodhur në sisteme të ndryshme çarjesh dhe kufijsh pllakash tektonike. Sipas saj, bëhet fjalë vetëm për një rastësi kohore. Ekspertët paralajmërojnë se ditët në vijim do të jenë vendimtare për të vlerësuar përmasat reale të katastrofës. Pasgoditjet kanë nisur tashmë dhe dhjetëra lëkundje më të vogla janë ndier në Karakas. Sizmologët presin që aktiviteti sizmik të vazhdojë edhe gjatë orëve dhe ditëve të ardhshme./kb
