Ish-sulmuesi i njohur irlandez Robbie Keane po synon një rikthim të bujshëm te Wolverhampton Wanderers, këtë herë jo si lojtar, por si trajner i skuadrës angleze. Sipas raportimeve të talkSPORT, Keane ka aplikuar për postin e trajnerit pas shkarkimit të Vitor Pereira-s, i cili u largua të dielën pas një fillimi katastrofik të sezonit. Wolves nuk ka arritur asnjë fitore në dhjetë ndeshjet e para të Premier League-s, duke grumbulluar vetëm dy pikë dhe ndodhen në fund të tabelës.
Keane, 45 vjeç, ka një lidhje të veçantë me Wolves, pasi ishte aty ku nisi karrierën e tij profesionale. Ai shënoi 27 gola në 85 paraqitje për klubin, përpara se të shkëlqente me Tottenham, Liverpool dhe Celtic.
Sipas SunSport, Gary O’Neil – ish-trajner i Wolves, i shkarkuar në dhjetor të kaluar – është gjithashtu në garë për një rikthim të mundshëm. Bisedimet mes palëve po ecin pozitivisht, pasi O’Neil vazhdon të vlerësohet lart nga drejtuesit e klubit.
Humbja 3–0 ndaj Fulham ka thelluar krizën e Wolves, dhe bordi është në kërkim të një figure që mund të shpëtojë sezonin përpara se të jetë tepër vonë.
Në karrigen e trajnerit, Keane vjen me një CV gjithnjë e më të pasur:
Ishte trajner-lojtar te ATK në Indi,
Më pas asistent i Kombëtares së Irlandës,
Trajner i Maccabi Tel Aviv, me të cilën fitoi kampionatin izraelit dhe Toto Cup,
Dhe këtë vit udhëhoqi Ferencvaros drejt titullit në kampionatin hungarez.
Ai është lidhur edhe me postin e trajnerit të Celtic, pas largimit të Brendan Rodgers, por një rikthim te Wolves do të ishte një histori e plotë cikli për të.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit po konsiderojnë edhe Rob Edwards, aktualisht trajner i Middlesbrough, por një lëvizje e tillë do të kërkonte kompensim financiar.
Pavarësisht se kush do të zgjidhet, është e qartë se Wolves kanë nevojë urgjente për një shpëtimtar, dhe Robbie Keane duket gati t’i përgjigjet thirrjes së klubit që i hapi rrugën drejt famës./ K.M
