Një problem i pazakontë ka shoqëruar medaljet e Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina: ato mund të thyhen.
Organizatorët e lojërave njoftuan të hënën nisjen e një hetimi pas një serie incidentesh ku medaljet e fituesve, përfshirë kampionen amerikane të skiut alpin, Breezy Johnson, u dukën të plasaritura dhe të këputura pak minuta pas ceremonive të shpërndarjes.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për situatën dhe ju keni parë fotografitë,” tha Andrea Francisi, shefi i operacioneve të lojërave, gjatë një konference për media. “Po shqyrtojmë saktësisht se cili është problemi. Do t’i kushtojmë vëmendjen maksimale medaljeve… sepse kjo është një nga gjërat më të rëndësishme për sportistët.”
Johnson tregoi medaljen e saj të plasaritur dhe të këputur: “Ishte e rëndë, e thyer. Unë po kërcja nga gëzimi dhe më ra,” tha ajo për gazetarët.
Ajo nuk ishte e vetmja. Biatloni gjerman Justus Strelow gjeti medaljen e tij të bronztë të plasaritur në dysheme gjatë festimeve të ekipit, ndërsa skiatorja suedeze e skive cross-country, Ebba Andersson, humbi medaljen e saj të argjendtë të skiathlonit të grave, e cila u këput pasi ra në borë.
“Medalja ra në borë dhe u thye në dy,” tha Andersson për televizionin suedez SVT. “Shpresoj që organizatorët të kenë një ‘Plan B’ për medaljet e thyera.”/mxh
