Last Updated on 21/10/2026 by Monika
Ambasadori Jan Braathu, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, ka reaguar lidhur me incidentet e ndodhura në protestën studentore dhe raportimet për dhunë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Braathu thekson se liria e medias dhe e drejta e publikut për informim janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike.
Gjithashtu u bën thirrje autoriteteve shqiptare të hetojnë menjëherë dhe në mënyrë efektive të gjitha incidentet e raportuara, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.
Deklarata e plotë:
Raportimet e vazhdueshme për dhunë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe për pengimin e tyre gjatë raportimit të protestave që po zhvillohen në Shqipëri, janë shqetësuese.
Liria e medias dhe e drejta e publikut për informim janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike. Garantimi i sigurisë së gazetarëve është i domosdoshëm për mbrojtjen e këtyre parimeve, edhe gjatë demonstratave publike, ku gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht, në mënyrë të sigurt dhe pa ndërhyrje të pajustifikuara.
Këto parime pasqyrohen në Vendimin nr. 3/18 të Këshillit të Ministrave të OSBE-së për Sigurinë e Gazetarëve, i cili riafirmon angazhimet e shteteve pjesëmarrëse për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e llogaridhënies për sulmet ndaj tyre.
U bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me shpejtësi dhe efektivitet të gjitha incidentet e raportuara, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.
Po aq e rëndësishme është parandalimi i incidenteve të tjera. Për këtë qëllim, inkurajoj autoritetet ligjzbatuese që të zbatojnë plotësisht udhëzimet ekzistuese të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, duke garantuar që punonjësit e policisë të lehtësojnë raportimin e sigurt dhe pa pengesa gjatë tubimeve publike. /mxh
