Shkencëtarët kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të zhvilluar një vaksinë të re që mund të mbrojë ndaj një game të gjerë virusesh dhe potencialisht të ndihmojë në parandalimin e pandemive të ardhshme.
Një ekip ekspertësh nga Universiteti i Cambridget ka konfirmuar se kjo është hera e parë në histori që një komponent kyç i një vaksine është dizajnuar plotësisht me ndihmën e AI-së dhe më pas është testuar me sukses te njerëzit.
Vaksina e re është projektuar për të synuar të gjithë coronavirusët, duke përfshirë jo vetëm variantet ekzistuese të COVID-19, por edhe viruset që qarkullojnë te kafshët dhe që në të ardhmen mund të kalojnë te njerëzit, duke shkaktuar potencialisht një krizë të re globale.
Vaksinat tradicionale zakonisht zhvillohen bazuar në shtamin aktual aktiv të virusit. Megjithatë, duke qenë se viruset mutojnë vazhdimisht dhe ndryshojnë strukturën e tyre, vaksinat shpesh humbasin efektivitetin dhe duhet të përditësohen rregullisht.
Kësaj radhe, shkencëtarët e Cambridget kanë ndjekur një qasje krejtësisht të ndryshme. Ata kanë mbledhur kodet gjenetike të një numri të madh coronavirusësh nga bazat globale të të dhënave që përdoren për monitorimin e kërcënimeve virale.
Më pas, inteligjenca artificiale i ka analizuar këto të dhëna dhe ka identifikuar pjesët e përbashkëta dhe të pandryshueshme që ekzistojnë mes të gjithë këtyre viruseve, shkruan bbc.
Më pas, inteligjenca artificiale ka dizajnuar një “super-antigjen” artificial, një komponent kyç i vaksinës që i mëson sistemit imunitar se çfarë duhet të njohë dhe të sulmojë.
Ky super-antigjen e trajnon trupin që të identifikojë dhe të luftojë çdo virus nga ajo familje, edhe nëse ai pëson mutacione ose nëse shfaqet një infeksion krejtësisht i ri që kalon nga kafshët te njerëzit.
“Ne gjithmonë jemi një hap prapa viruseve. Ajo që po përpiqemi është të jemi përpara tyre, dhe aq përpara sa të mund të mbrohemi nga epidemi apo pandemi tërësisht të reja. Kjo përfaqëson një ndryshim themelor në mënyrën se si përgatitemi për krizat shëndetësore”, deklaroi për BBC profesori Jonathan Heeney nga Universiteti i Cambridget.
Faza e parë e provave klinike është realizuar te 39 persona, me qëllimin kryesor për të verifikuar sigurinë e kësaj teknologjie. Rezultatet e publikuara në revistën prestigjioze Journal of Infection tregojnë se vaksina është e sigurt, ndërsa ndikimi fillestar në sistemin imunitar është vlerësuar si “i moderuar”. Megjithatë, komuniteti shkencor mbetet optimist për zhvillimet e mëtejshme.
Aktualisht po zhvillohet një studim i dytë me rreth 200 pjesëmarrës, i cili pritet të ofrojë të dhëna më të sakta mbi forcën dhe cilësinë e përgjigjes imunitare.
Edhe pse disa ekspertë të pavarur, përfshirë profesorin Andy Pollard nga Oxfordi, kërkojnë kujdes derisa të përfundojnë studimet më të gjera te njerëzit (duke theksuar se sistemi imunitar i njeriut është shumë më kompleks se ai i modeleve laboratorike), ekziston një konsensus i përgjithshëm se inteligjenca artificiale përfaqëson një pikë kthese që mund të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin e ilaçeve dhe të kontribuojë në shpëtimin e miliona jetëve. /ET

