Nga Amelia Gentleman
Gara me hedhje granate zëvendësoi orët e edukimit fizik dhe fjalimet për “denazifikimin” u kthyen në detyra shtëpie. Filmi i fshehtë i Pavel Talankinit për fushatën e indoktrinimit në shkollën e tij fitoi një Bafta dhe përflitet si kandidat për Oscar, por e ka lënë atë në mërgim.
Për të parë dokumentarin e nominuar për Oscar, në të cilin shumë prej tyre kanë role kryesore, nxënësve të Shkollës Nr. 1 në Karabash u është dashur të sigurojnë kopje pirate, duke e parë filmin në privatësi, në telefonat apo laptopët e tyre.
Fitorja e javës së kaluar në Bafta për dokumentarin më të mirë për Mr Nobody Against Putin është injoruar me kujdes nga mediat shtetërore ruse, ashtu si edhe çmimi që filmi fitoi vitin e kaluar në Sundance. Stafi i shkollës dhe zyrtarët qeveritarë në Kremlin duken të bashkuar në dëshirën për të pretenduar se nuk dinë asgjë për filmin.
Por Pavel Talankin, mësues, bashkëregjisor dhe protagonisti i dokumentarit, shpreson që përfshirja e filmit në Oscar më vonë këtë muaj do t’i bëjë më shumë rusë të ndërgjegjshëm për ekzistencën e tij.
Pamjet e tij tregojnë kolegët duke u përballur me zbatimin e një programi të ri arsimor patriotik, të detyrueshëm nga qeveria, i projektuar për të formësuar fëmijët e shkollave fillore si entuziastë të Putinit dhe mbështetës të luftës kundër Ukrainës. Dokumentari zbulon makinerinë e fuqishme propagandistike të Rusisë në veprim.
“Shpresoj që në të ardhmen do t’i ndihmojë këta fëmijë të kuptojnë se ishin viktima të gjithë kësaj,” thotë Talankin. “Ky film u drejtohet para së gjithash rusëve, duke u treguar çfarë po ndodh tani brenda shkollave të tyre.”
Talankin, detyra e të cilit në shkollë ishte të koordinonte dhe filmonte aktivitetet shkollore dhe jashtëshkollore, kaloi dy vjet e gjysmë duke dokumentuar fushatën masive të indoktrinimit. Pamjet e orëve të mësimit duhej të ngarkoheshin rregullisht në një faqe interneti qeveritare si provë se stafi po përmbushte kuotën e kërkuar të mësimit patriotik nga ministria e arsimit.
Në të njëjtën kohë, me rrezik të madh personal, ai i dërgonte fshehurazi pamjet jashtë vendit te regjisori amerikan David Borenstein, i cili nisi t’i montonte në një film.
Dokumentari tregon fëmijë të bindur dhe të përulur, që fillimisht duken të mërzitur dhe të hutuar nga orët, por që gradualisht e përthithin materialin e ri. Para fillimit të luftës në Ukrainë, ata rreshtohen për të kënduar refrene të gëzuara: “Le të ketë gjithmonë diell; le të ketë gjithmonë qiell.” Disa muaj më vonë, shihen me fytyra të shqetësuara teksa mësuesit lexojnë skripte qeveritare mbi objektivat e ushtrisë ruse në Ukrainë dhe pengohen në fjalë të panjohura si “denazifikim” dhe “demilitarizim”.
Së shpejti, korridoret e shkollës jehojnë nga marshimi i fëmijëve që ecin seriozisht, me shpinën drejt dhe krahët që lëvizin në një ritëm të njëjtë. Përfaqësues të organizatës paraushtarake Wagner vijnë për t’u mësuar si të identifikojnë dhe shmangin minat që mund t’u këpusin këmbët. Garat me hedhje granate zëvendësojnë orët e zakonshme të sportit. Ndërkohë, në shtëpi, fëmijët ndjekin emisione televizive ku ushtarë rusë diskutojnë luftën dhe shprehen: “Nuk duhet t’i vrasim [ukrainasit]nga urrejtja, duhet t’i vrasim nga dashuria për fëmijët tanë.”
“Propaganda është shumë efektive,” thotë Talankin, 34 vjeç, duke folur në Londër dy ditë pas fitores në Bafta. “Shteti shpenzon shumë para për të; nuk do ta bënte po të mos funksiononte.”
Efekti kumulativ i futjes së këtyre orëve në mijëra shkolla fillore në 11 zonat kohore të Rusisë është i konsiderueshëm. “Qeveria e Putinit po bën gjithçka për të krijuar një brez besnik ndaj politikave të tij. Filmi nxjerr në pah jo vetëm çfarë po ndodh tani, por edhe se si, pas 10 apo 15 vitesh, kur këta fëmijë të dalin nga sistemi arsimor, do të jetë krijuar një brez i ri besnikësh pro-Putin,” thotë ai.
Programi i indoktrinimit ka ndikuar negativisht edhe në arsimimin normal të fëmijëve. Një mbledhje urgjente e stafit thirret për të diskutuar rënien e ndjeshme të notave. Disa mësues pyesin nëse kjo lidhet me kohën e madhe të shpenzuar për orët e patriotizmit. Drejtoresha shprehet e lodhur se do të pushohej nga puna nëse do të ndalte mësimin e këtij materiali. “Është e pamundur të hysh me kamera në shkollat ruse, prandaj fakti që ajo e thotë këtë e bën, sipas meje, skenën më të rëndësishme të filmit,” thotë ai.
Talankin është i impresionuar që kaq shumë njerëz në Karabash, një qytet i vogël industrial në Ural, kanë arritur ta shohin filmin. Kopje pirate kalonin dorë më dorë, si botimet samizdat të veprave të ndaluara të Solzhenicinit në Bashkimin Sovjetik, thotë ai. “Prindërit nuk e dinin vërtet çfarë po mësohej në këto orë. Disa më kanë shkruar me mirënjohje, të tjerë më kanë thënë: herën tjetër që të shohim, do të të thyejmë gjunjët.”
Kur zyrtarët lokalë kuptuan se filmi ishte parë gjerësisht në qytet, oficerë nga shërbimi sekret FSB u dërguan në shkollë për të folur me mësuesit. “Mblodhën drejtuesit e shkollës dhe u thanë: ky person nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston, dhe nuk duhet të kontaktoni me të; ky film nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston, dhe nuk duhet të bëni asnjë koment për të.”
Për Talankinin është thelbësore të besojë se filmi do të ketë ndikim në Rusi, sepse përfshirja e tij në dokumentar e ka detyruar të largohet nga familja dhe të arratiset nga vendi ku kishte jetuar gjithë jetën, për të shmangur arrestimin për kundërshtim. Gjatë xhirimeve u miratuan ligje të reja represive për tradhti, dhe nëse projekti do të zbulohej, ai rrezikonte burgim të përjetshëm.
Një ditë pas ceremonisë së diplomimit të shkollës në vitin 2024, ai i tha nënës së tij (bibliotekare në shkollë), miqve dhe kolegëve se do të shkonte për pushime njëjavore në Turqi. Paketoi një valixhe me kopje të të gjitha regjistrimeve dhe u largua nga vendi, me shpresën se bagazhet nuk do të kontrolloheshin.
Ai e di se nuk do të mund të kthehet në shtëpi dhe ka siguruar azil politik në Evropë. Beson se sakrifica personale ia vlejti. “Është më mirë të flasësh për problemet sesa të heshtësh për to.”
Në fjalimin e tij të pranimit të Bafta-s, Borenstein theksoi guximin e jashtëzakonshëm të Talankinit. “Ai nuk është Zoti Askush. Ai donte të tregonte sa shpejt totalitarizmi mund të pushtojë një shkollë, një vend pune, një qeveri. Dhe si bashkëfajësia jonë bëhet karburant në atë zjarr,” tha ai.
“Kur një ligj për tradhti e kërcënoi me burg, ai vazhdoi të filmonte. Kur një makinë policie nisi të parkonte jashtë shtëpisë së tij, ai vazhdoi të filmonte. Dhe kur iu desh të sakrifikonte gjithë jetën e tij në Rusi për të nxjerrë këto pamje jashtë vendit, nuk hezitoi. Pavarësisht se kush jemi, ka gjithmonë fuqi në veprimet tona. Guximi gjendet në vende të papritura. Na duhen më shumë ‘Zotërinj Askush’.”
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
