Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje në mbrëmje një plan investimi prej 700 milionë dollarësh, për rimëkëmbjen e industrisë së qymyrit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përdorur pjesërisht kompetencat e jashtëzakonshme, që i jep ligji i kohës së luftës, raportoi BBC.
“Sot po ndërmarrim veprime historike për të ulur çmimin e energjisë dhe koston e jetesës, për të gjithë amerikanët me fuqinë e qymyrit të pastër dhe të bukur”, deklaroi Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Investimi vjen në një kohë, kur administrata amerikane, po përpiqet të zbusë ndikimin e rritjes së kostove të energjisë, pas konfliktit me Iranin.
Për financimin e nismës, Trump aktivizoi Ligjin për Prodhimin e Mbrojtjes – një ligj i epokës së Luftës së Ftohtë, që i jep presidentit kompetenca të gjera, për të mbështetur sektorë të konsideruar jetikë për sigurinë kombëtare.
“Si rezultat i investimit prej 700 milionë dollarësh që po shpall sot, ne do të mbrojmë 14 centrale me qymyr dhe 42 miniera qymyri, një numër i jashtëzakonshëm, si dhe do të ndërtojmë dy centrale të reja dhe një terminal të madh eksporti”, tha Trump.
Sipas planit, 500 milionë dollarë fonde federale do të përdoren për të mbështetur 14 centralet ekzistuese me qymyr dhe për ndërtimin e një terminali të ri eksporti në Kaliforni.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Energjisë do të akordojë 200 milionë dollarë shtesë, për ndërtimin e centraleve të reja me qymyr, në Alaska dhe Virxhinian Perëndimore.
Këto do të jenë centralet e para të reja me qymyr, të ndërtuara në SHBA, që prej vitit 2013.
Trump tha se terminali i eksportit të qymyrit në Oakland të Kalifornisë do të krijojë mbi 1,400 vende pune, ndërsa paketa e plotë e investimeve pritet të mbështesë rreth 14,000 vende pune.
Centralet që do të përfitojnë nga fondet, ndodhen në shtetet Kentaki, Karolina e Veriut, Indiana, Tenezi, Arkansas, Arizona, Oklahoma, Dakota e Veriut, Wisconsin dhe Virxhinia Perëndimore.
Presidenti amerikan argumentoi se ekonomitë e suksesshme mbështeten te qymyri, ndërsa kritikoi vendet që, sipas tij, kanë dështuar duke investuar kryesisht në burime të rinovueshme të energjisë, si energjia e erës.
Ai shtoi se programi i ri do t’u kursejë konsumatorëve amerikanë rreth 50 miliardë dollarë, në kostot e prodhimit të energjisë, shpenzime që përndryshe do të reflektoheshin në fatura më të larta.
Rritja e çmimeve të energjisë ka ardhur pas luftës me Iranin dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz.
Sipas organizatës amerikane të automobilizmit AAA, çmimi mesatar i një gallon benzine në SHBA arriti dje në 4,24 dollarë, krahasuar me 2,98 dollarë në ditën kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.
Të dhënat e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS) tregojnë se çmimet e energjisë për konsumatorët amerikanë janë rritur me 17,9% në 12 muajt deri në prill./mxh
