Last Updated on 01/09/2025 by adminfjala
Europa po heq dorë nga roli i ndërmjetësit mes SHBA-së dhe Iranit dhe po ia dorëzon fatin e marrëveshjes bërthamore vetos së Donald Trump.
Kështu deklaroi zëdhënësi i Ministrisë Jashtme së Iranit, Esmail Baghaei, në një intervistë për The Guardian.
Ai shtoi se rikthimi i sanksioneve të gjerë të OKB-së me kërkesë të vetë Europës, do t’i japë SHBA-së fuqinë të diktojë gjithçka që ndodh më pas.
“Europianët po bëjnë pikërisht atë që Trump u kishte diktuar. Roli i Europës është drejt minimizimit. Në të kaluarën, liderët e politikës së jashtme të BE-së si Javier Solana, Cathy Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell, përpiqeshin të ndërmjetësonin sinqerisht mes nesh dhe SHBA-së. Tani, Europa ka zgjedhur të bëhet një vegël e SHBA-së dhe Izraelit. Kjo është një papërgjegjshmëri e plotë”, tha Esmail Baghaei.
Ai theksoi deklaratën e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili në qershor tha se “Izraeli po bën punën e pistë për të gjithë ne” duke sulmuar objektet bërthamore të Iranit.
“Të gjitha vendet europiane, në një mënyrë apo tjetër, e aprovuan këtë dhe shumë mundësisht i kanë dhënë informacion Izraelit,” shtoi Baghaei.
Deklaratat e tij duket se synojnë të ushtrojnë presion mbi kryeqytetet europiane që të distancohen nga SHBA dhe të zbutin kushtet e tyre për shtyrjen e sanksioneve të OKB-së.
Baghaei paralajmëroi gjithashtu se qeveria iraniane nuk ka kompetencë kushtetuese për të bllokuar një tërheqje nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) nëse parlamenti iranian e miraton një ligj të tillë. Sipas tij, tërheqja nga traktatet ndërkombëtare është në dorën e parlamentit.
Pritet që të martën të publikohet numri i deputetëve që mbështesin projektligjin për tërheqje nga NPT-ja, dhe më shumë gjasa ai do të kalojë me shumicë dërrmuese. Një veprim i tillë do t’i hiqte OKB-së çdo të drejtë për të monitoruar programin bërthamor të Iranit, gjë që do të shkaktonte shqetësime serioze në SHBA për mundësinë që Irani të ndërtojë një armë bërthamore.
Fraksione të fuqishme në parlamentin iranian besojnë se Irani ka fuqinë ushtarake për t’i shkaktuar dëme të mëdha Izraelit në rast të një sulmi tjetër perëndimor.
“Ne jemi të përgatitur, sepse kjo është çështje dinjiteti dhe sovraniteti,” tha Baghaei. m.p.
