Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ka kritikuar në Kuvend, mungesën e reagimit ndaj problemeve infrastrukturore, veçanërisht sipas tij në zonën e Lushnjes.
Në nisje të fjalës së tij, Korreshi shprehu ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur në Durrës, duke theksuar se ajo nuk duhet të politizohet, por e konsideroi si një dramë të madhe njerëzore.
Më tej duke ironizuar ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ai denoncoi gjendjen e rrugëve në Lushnje, të cilat tha se janë kthyer në burim aksidentesh fatale.
Deputeti theksoi tej, se segmentet rrugore si “Pushimi i shoferit” dhe kthesa e Savrës kanë shkaktuar dhjetëra viktima, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme me investime minimale për rrugë dytësore që, sipas tij, mund të shpëtojnë jetë. Ai kritikoi gjithashtu investimet publike në arsim, duke deklaruar se shkollat në Lushnje janë në gjendje të rëndë higjieno-sanitare.
Fjala e plotë e Korreshit:
Faleminderit, jo 10 minuta se e kemi harruar fjalimin në shtëpi edhe nuk i përballojmë dot gjithë këto minuta o e nderuar drejtuese e seancës. Katër a pesë. Po ta kishim bërë 4.5 e kaloja klasën. Para njëherë duhet të shpreh edhe unë ngushëllimet për atë tragjedinë e Durrësit, patjetër si çdo njeri. Patjetër që nuk mund t’i japim ngjyrime politike. Dramë e madhe. Vetëm ata që e kanë në shtëpi mund ta përjetojnë një gjë të tillë.
Por ama një pyetje do t’ju drejtojë kryetares së seancës, ministrit të shtetit dhe shokut Taulant. Ore Karakaçin e keni ministër, vetëm me letra apo është ministër me të vërtetë, ky tobestrafkulla? Se më duket sikur jetojmë në dy Lushnje të ndryshme me kolegët e tjerë. Nuk e di unë, ndoshta ka një Lushnje tjetër.
Të shikojmë t’i hapim letrat. Se në qoftë se ka një aks rrugor që ka me dhjetëra e dhjetëra të vdekur është “Pushimi i shoferit”, në Lushnje. Në qoftë se ka një aks bashkë me kthesën e Savrës, dhjetëra e dhjetëra të vdekur. Veprën e artit e kemi aty, na mungojnë dy rrugë anësore.
Nuk janë tunel i Llogarasë ore, nuk duan ndonjë gjë shumë lekë. Duan shumë, shumë pak lekë. Por që kushtojnë jetë. Dhe i them shokut Karakaç, në qoftë se s’është ministër vetëm me letra, t’i harxhojë, po patën lënë paraardhësit e tij ndonjë lek atje, me ndonjë sirtar, kanë harruar ndonjë zarf pa marrë që vetëm t’ia hedhi rrugëve anësore në Lushnje.
Së dyti, unë nuk e di po, të thuash që kemi bërë shkolla, kemi bërë investime, ku shkollat e Lushnjes janë me banjo të fikut. Nuk mundet të rrinë në këtë lloj gjendje njerëzit, fëmijët. Jo! Nuk mundet të rrinë. Në qoftë se qenke denoncuar ti. Po ata prindër që i çojnë ata fëmijët atje, pse nuk u denoncuan? Se ti harxhove 400 milionë lekë për Lushnjen. E dolën nga kategoria.
Me 400 milionë lekë, mbas 100 vjetësh Lushnja s’ka dalë nga kategoria e tretë. Mbas 400 milionë ne për të ngrënë fara, gjithë bashkia, për t’i bërë lekët rrush e kumbulla, me ato mund t’i kishim marrë lekët të gjithë ata që u përmbytën, të gjithë ata që i preku… serat që i preku ngrica, edhe mund t’i kishim pastruar të gjithë kanalet e Myzeqesë, me ato lekë.
Që u shkuan për kategorinë e tretë. E kupton a? Ja prandaj bërtasim ne. Se këtu na tregoni përralla me me shtylla elektrike. Ndërkohë që ata rrezikojnë jetën me ato tobe stafkulla shtyllash elektrike. Dëgjoni dhe një të fundit të bukur nga Lushnja, ju çojnë selam. Na sollën ne se nuk ishte i fortë Lushnja, na e sollën nga Shkodra një që të na ruante, policinë bashkiake, kryetarin e policisë. Erdhi jarani, na kërkoi pilaf. E dini gjë pse e hoqën jaranin? Kërkoi pilaf. Po do pyesnit, e donte me lëng apo me shumë lëng? Pyeteni një çikë jaranin pse e hoqën nga puna.
Bashkia e Lushnjes, dashka pilaf në Lushnje? Oh, oh, oh. Bravo jarani! Se kishin mbaruar lushnjarët për polic edhe erdhi jarani nga Shkodra donte pilaf. Pyeti kujt i dërgoi mesazh jarani? Pyeti, Ardit. Merru me këtë situatë se i maskove këta shokët tuaj, vetëm e hoqën, na e ftuan me një dorëheqje. Ja çfarë ndodh në Lushnje që ta dish ti. Mos prek shtyllat e Karakaçit, po rrugët? E kupton? Po shikoni se 100 milionë lekë të vjetra do që të shpëtojë gjithë ajo… resortet e Palasës se nuk mjafton tuneli se do kalosh përpara te pushimi i shoferit. Do 100 milionë lekë të vjetra që të shpëtojnë qindra jetë njerëzish dhe qarkullimi të bëhet normal për të ardhur te Vlora jote ku je ti. Se nuk vjen dot në behar. Ja kaq./mxh
