Një gjykatë ushtarake në Rusi ka dënuar me 19 vite burg ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes, Pavel Popov, në një nga çështjet më të rënda të korrupsionit që kanë tronditur strukturat e larta të ushtrisë ruse.
Sipas agjencisë shtetërore ruse RIA, Popov është shpallur fajtor për përvetësim fondesh dhe abuzim me detyrën, lidhur me ndërtimin e “Patriot Park”, një kompleks ushtarak-tematik pranë Moskës, ku ekspozohen pajisje ushtarake ruse dhe sovjetike.
Hetimet tregojnë se që nga viti 2021, ai dyshohet se ka devijuar materiale ndërtimi nga projekti shtetëror për përdorim personal në pronën e tij private. Popov ka mohuar akuzat dhe pritet të vendosë nëse do ta apelojë vendimin.
Ky është dënimi më i rëndë deri tani në një seri rastesh korrupsioni brenda Ministrisë ruse të Mbrojtjes, që kanë përfshirë edhe figura të tjera të larta ushtarake.
Rastet lidhen me një fushatë më të gjerë hetimesh pas ndryshimeve në krye të ministrisë, kur presidenti rus Vladimir Putin zëvendësoi ish-ministrin Sergei Shoigu me ekonomistin Andrei Belousov, në kuadër të përpjekjeve për rritjen e kontrollit mbi shpenzimet ushtarake./mxh
