Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka paralajmëruar për një përkeqësim të ndjeshëm të krizës ushqimore në Liban, si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit dhe zhvendosjes masive të popullsisë.
Drejtoresha e WFP në Liban, World Food Programme Allison Oman, tha se situata nuk është më vetëm një krizë zhvendosjeje, por po shndërrohet me shpejtësi në krizë të sigurisë ushqimore.
Sipas saj, çmimet e ushqimeve bazë janë rritur ndjeshëm brenda një muaji, me perimet mbi 20 për qind dhe buka rreth 17 për qind, ndërsa shumë familje po përballen me vështirësi serioze për të siguruar ushqimin e përditshëm.
Oman theksoi gjithashtu se situata është veçanërisht e rëndë në jug të vendit, ku mbi 80 për qind e tregjeve nuk funksionojnë më dhe stoqet ushqimore janë drejt shterimit.
Sipas saj, edhe pse në nivel kombëtar tregjet duket se funksionojnë, kjo fsheh një realitet shumë më të rëndë në zonat e prekura nga luftimet, ku furnizimet po pakësohen me shpejtësi dhe aksesimi i ndihmës humanitare është gjithnjë e më i vështirë.
Në total, rreth 900 mijë persona në Liban konsiderohen tashmë në pasiguri ushqimore, ndërsa ky numër pritet të rritet në javët në vijim, paralajmëroi OKB-ja.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se dy spitale në Bejrut me rreth 450 pacientë nuk janë evakuuar, pas garancive se nuk do të jenë objekt sulmesh.
Zyrtarët humanitarë paralajmërojnë se përshkallëzimi i konfliktit po e shtyn Libanin gjithnjë e më afër një krize të thellë humanitare, ku rrezikohet jo vetëm furnizimi me ushqim, por edhe funksionimi i shërbimeve bazë shëndetësore./mxh
