Islandezët votojnë këtë të shtunë në një referendum për të vendosur nëse vendi duhet të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, 13 vjet pasi bisedimet u ndërprenë.
Referendumi zhvillohet në një klimë të fortë debati, ndërsa sondazhet e fundit tregojnë një garë të ngushtë mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të rikthimit në negociata. Sondazhi i fundit e vendosi fushatën “Jo” në avantazh me 51.6%, ndërsa matjet e mëparshme kishin treguar epërsi për kampin “Po”.
Pyetja që u drejtohet qytetarëve është e drejtpërdrejtë: “A duhet që Islanda të rifillojë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian?”
Një votë “Po” nuk do të nënkuptonte anëtarësimin automatik të Islandës në BE. Ajo do t’i hapte rrugën rifillimit të negociatave, ndërsa çdo marrëveshje përfundimtare do të duhej të miratohej përmes një tjetër referendumi, nga parlamenti islandez dhe nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Në qendër të debatit qëndron sovraniteti, veçanërisht kontrolli mbi ujërat dhe burimet e pasura të peshkimit.
Industria e peshkimit dhe ajo detare përbëjnë një pjesë të rëndësishme të eksporteve islandeze dhe kundërshtarët e anëtarësimit druhen se Politika e Përbashkët e Peshkimit e BE-së mund të kufizojë kontrollin e Reykjavikut mbi burimet e veta.
Kjo çështje ka një peshë të veçantë historike në Islandë, e cila në vitet 1970 u përfshi në të ashtuquajturat “Luftërat e Merlucit” me Mbretërinë e Bashkuar për kontrollin e zonave të peshkimit.
Mbështetësit e negociatave argumentojnë se Islanda duhet të paktën të shohë se çfarë marrëveshjeje mund të sigurojë me Brukselin përpara se qytetarët të marrin një vendim përfundimtar.
Islanda është tashmë pjesë e tregut të vetëm evropian dhe zonës Shengen përmes Zonës Ekonomike Evropiane. Anëtarësimi në BE do ta integronte vendin më tej në strukturat evropiane, përfshirë bashkimin doganor dhe, në të ardhmen, përdorimin e euros.
Mbështetësit e “Po”-së thonë se integrimi më i madh ekonomik mund të ndihmojë në uljen e kostove dhe të interesave, në një kohë kur inflacioni në vend mbetet i lartë.
Në anën tjetër, kundërshtarët theksojnë se Islanda është një nga ekonomitë më të pasura të Evropës dhe se pavarësia ekonomike dhe politike ka qenë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e saj.
Siguria është një tjetër element i debatit, megjithëse ka zënë më pak hapësirë gjatë fushatës. Islanda është anëtare themeluese e NATO-s, por nuk ka ushtri dhe mbështetet te aleatët për mbrojtjen e saj.
Qeveria islandeze e ka parë forcimin e lidhjeve me Evropën si një mënyrë për të ulur rreziqet gjeopolitike, veçanërisht pas përshkallëzimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së shqetësimeve për sigurinë në Atlantikun e Veriut.
Kryeministrja Kristrún Frostadóttir, një nga zërat kryesorë të kampit “Po”, argumenton se Islanda është tashmë e integruar ngushtë me Evropën dhe se rifillimi i negociatave do t’u jepte qytetarëve mundësinë të shihnin konkretisht çfarë kushtesh mund të siguronte vendi.
Kundërshtarët, të udhëhequr nga Partia e Pavarësisë, thonë se Islanda tashmë bashkëpunon ngushtë me Evropën dhe se nuk ka nevojë të heqë dorë nga kompetencat kombëtare mbi peshkimin, bujqësinë dhe burimet natyrore.
Votimi zhvillohet nga ora 09:00 deri në 22:00 GMT, ndërsa rezultati pritet të shpallet gjatë orëve të para të së dielës.
Më shumë se një në pesë votues kishin votuar paraprakisht përpara ditës së referendumit. Me një rezultat që pritet të jetë shumë i ngushtë, vota e islandezëve mund të përcaktojë nëse Reykjaviku do të rikthehet në tryezën e negociatave me Brukselin pas më shumë se një dekade./kb
