Ish-banorja e “BBVA5”, Stelina Kurila, ka qenë e ftuar në rubrikën “Trotuar” në emisionin “E Diell”, ku ka ndarë detaje nga përvoja e saj në programin “Përputhen” dhe mënyrën si e ka përjetuar këtë rrugëtim televiziv.
Stelina u shpreh se gjithmonë ka pasur dëshirën që në jetën e saj të ketë një dashuri të vetme, duke theksuar se edhe në formatin “Përputhen” ajo zgjodhi të fokusohej te një person i vetëm, Kejsi, me të cilin e nisi dhe e përmbylli eksperiencën e saj.
Ajo foli gjithashtu për gjykimet që ka marrë nga publiku për disa prej veprimeve të saj gjatë programit, duke theksuar se kjo lidhet edhe me mentalitetin e shoqërisë shqiptare, ku sipas saj vlerat dhe “nderi i femrës” vihen shpesh në qendër të kritikave.
“Ne vijmë nga një shoqëri ku figura e femrës shihet me shumë kujdes dhe shpesh edhe me gjykim. Kam marrë kritika për disa veprime që kam bërë gjatë rrugëtimit tim, por duhet të kemi parasysh që ‘Përputhen’ është një format ku ke mundësinë të njohësh njerëz të ndryshëm. Unë zgjodha të jem ekskluzive dhe ta përjetoja këtë eksperiencë me një djalë të vetëm. Kam ëndërruar gjithmonë një dashuri të vetme në jetë, por jo gjithçka varet nga ne”, u shpreh ajo.
Deklaratat e saj kanë ngjallur reagime të ndryshme, duke rikthyer edhe një herë në vëmendje diskutimet rreth marrëdhënieve dhe gjykimeve sociale në formatet televizive të dashurisë./mxh
