Java Kulturore Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës ka nisur këtë javë në Tiranë, duke sjellë një sërë aktivitetesh artistike, historike dhe folklorike. Programi, që zgjat nga data 21 deri më 30 nëntor, përfshin ekspozita, koncerte, diskutime dhe prezantime dokumentare që tregojnë trashëgiminë kulturore të të dy vendeve. Në ceremoninë hapëse u theksua roli i dialogut kulturor si një urë bashkimi mes institucioneve të dy anëve të kufirit.
Gjatë javës do të hapet edhe një ekspozitë e veçantë me temë inteligjencën artificiale në art, ku artistë nga Kosova prezantojnë qasje moderne në krijimtari. Në datat 26–30 nëntor, Biblioteka Kombëtare organizon një ekspozitë dedikuar 150-vjetorit të At Shtjefën Gjeçovit, një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Aktivitetet do të kulmojnë me koncerte folklorike dhe panairin gastronomik “Shije Shqiptare”, ku vizitorët mund të shijojnë produkte tradicionale nga treva të ndryshme./K.M
