Jennifer Lopez ka reflektuar mbi ndryshimet që kanë shoqëruar jetën e saj pas ndarjes nga Ben Affleck, duke pranuar se periudha pas divorcit u shndërrua në një kohë të rëndësishme për vetëzbulim dhe rritje personale.
Në një intervistë për podcastin SmartLess, ylli 56-vjeçar tregoi se dy vitet e fundit kanë qenë ndër më transformueset në jetën e saj, duke e ndihmuar të shohë veten me një këndvështrim krejtësisht të ri.
“Gjithçka ka ndryshuar. Këto dy vite kanë qenë një rrugëtim shërimi dhe më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë se kush jam. Ndihem një person krejt ndryshe nga ai që isha dy vite më parë”, tha këngëtarja dhe aktorja.
Lopez zbuloi se kjo fazë e jetës ka qenë veçanërisht emocionale edhe për shkak të një tjetër ndryshimi të madh në familje, pasi binjakët e saj, Emme dhe Max, po përgatiten të nisin studimet universitare.
Edhe pse nuk u ndal në detaje rreth ndarjes nga Ben Affleck, artistja pranoi se pas divorcit vendosi të pezullonte turneun e saj muzikor për t’i kushtuar më shumë kohë vetes dhe për të reflektuar mbi jetën e saj.
“Pas ndarjes sime të fundit, ndjeva se duhej të ndalesha dhe të kuptoja çfarë po ndodhte me mua. Kisha nevojë të përqendrohesha te vetja dhe të pranoja se edhe unë duhej të shihja përgjegjësitë e mia”, u shpreh ajo.
Sipas Lopez, qëllimi nuk ishte të fajësonte vetëm veten për fundin e martesës, por të kuptonte se çfarë mund të mësonte nga kjo përvojë.
“Jo sepse të tjerët nuk bëjnë gabime, por pyeta veten se çfarë mund të ndryshoja tek vetja. Ai moment më bëri të shoh shumë gjëra ndryshe”, tha ajo.
Jennifer Lopez dhe Ben Affleck rikthyen lidhjen e tyre në vitin 2021, për t’u martuar një vit më vonë. Në verën e vitit 2024, këngëtarja paraqiti kërkesën për divorc, ndërsa procedurat u mbyllën zyrtarisht në janar 2025. Megjithatë, pavarësisht ndarjes, raportet mes tyre duket se kanë mbetur të qeta dhe miqësore./mxh
