Jeta moderne po i lodh gjithnjë e më shumë kyçet e duarve. Por disa zakone të thjeshta mund t’i mbajnë të forta dhe funksionale për shumë vite. Gjithçka nisi me një dhimbje të lehtë. Brenda një vere, ajo u shndërrua në një dhimbje të fortë që përshkonte dorën time të majtë sa herë godisja topin e tenisit apo edhe kur përpiqesha të hapja një derë.
Isha 18 vjeç dhe tenisi konkurrues ishte një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Por një dëmtim që në atë moshë dukej i kapërcyeshëm, do të më shoqëronte për vite. Sot, gati dy dekada më vonë, ai mund të rrisë edhe rrezikun për zhvillimin e artritit të kyçit.
Problemet me kyçet janë më të zakonshme nga sa mendojmë, sidomos në moshën e mesme dhe në vitet e mëvonshme të jetës. Kyçi i dorës është një strukturë jashtëzakonisht komplekse. Ai përbëhet nga shumë nyje të vogla, tetë kocka të quajtura kockat karpale, dy kocka të parakrahut dhe bazat e pesë kockave metakarpale që ndodhen në pëllëmbë.
Kjo strukturë na jep një kombinim të forcës, fleksibilitetit dhe kontrollit të imët. Falë saj mund të ngremë objekte të rënda, të godasim një top tenisi apo të kryejmë veprime shumë të sakta, si piktura. Edhe veprimet më të zakonshme, nga të shkruarit në tastierë te mbajtja e një filxhani kafeje, varen prej saj. Por ky ekuilibër është delikat.
Një ekuilibër që mund të prishet
Ligamentet, kockat dhe tendinat e kyçit funksionojnë si një sistem i koordinuar. Kur ky ekuilibër prishet, mund të fillojnë problemet që më vonë çojnë në artrit.
Dëmtimet dhe plakja janë dy faktorë kryesorë që mund ta prishin këtë ekuilibër. Artriti i kyçit mund të shfaqet në forma të ndryshme, por ndër më të zakonshmet janë artriti reumatoid, osteoartriti dhe artriti post-traumatik. Dy të fundit lidhen shpesh me dëmtimin e kërcit që mbron kockat e vogla të kyçit ose me zhvendosjen e tyre.
Dëmtimi nuk duhet të jetë domosdoshmërisht i madh. Një lëvizje e përsëritur, një përdredhje e kyçit apo edhe një rrëzim ku dora përpiqet të amortizojë trupin mund të lërë pasoja afatgjata.
Një dëmtim në moshë të re mund të duket se është shëruar plotësisht, por problemet mund të shfaqen edhe 20 vjet më vonë.
Artriti i kyçit është vlerësuar se prek deri në një në shtatë amerikanë. Përveç dhimbjes, ai mund ta bëjë më të vështirë veshjen, përgatitjen dhe prerjen e ushqimit, ndërsa kufizimi fizik mund të ndikojë edhe në mirëqenien psikologjike.
Lexo edhe: Pushimet nuk janë më vetëm për të pushuar, mirëqenia po kthehet në një industri gjigante!
Kyçi është gjithashtu një lloj “nyjeje sinjalizuese”. Forca e kapjes së dorës lidhet jo vetëm me funksionimin e gjymtyrëve, por edhe me shëndetin e përgjithshëm, rrezikun e dobësisë fizike, rrëzimeve dhe humbjes së pavarësisë në moshë të madhe.
Prandaj, kujdesi për kyçet nuk është vetëm një çështje për njerëzit që merren me sport. Është një investim në funksionalitetin e trupit për dekadat e ardhshme.
Si t’i mbajmë kyçet më të forta
Sipas specialistëve, parandalimi mund të nisë me disa hapa të thjeshtë.
Dieta është një prej tyre. Ushqimet e pasura me kalcium dhe minerale, si produktet e bulmetit dhe peshqit e vegjël që hahen me kocka, mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të kockave dhe në uljen e rrezikut të osteoporozës.
Edhe mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndikojë pozitivisht në biomekanikën e kyçeve. Por ushtrimet e rregullta janë ndër mënyrat më të drejtpërdrejta për t’i bërë kyçet më rezistente.
Nëse nuk keni dëmtime apo probleme ekzistuese, disa ushtrime të thjeshta mund të kryhen në shtëpi disa herë në javë. Për secilin ushtrim rekomandohen zakonisht tre seri me nga 10 përsëritje.
Në rast dhimbjeje, ushtrimi duhet ndërprerë. Personat me dëmtime ose probleme të mëparshme duhet të konsultohen me mjekun përpara se të nisin një program të ri ushtrimesh.
1. Forconi shpatullat
Shpatullat mund të duken të palidhura me kyçet, por muskujt e gjithë krahut funksionojnë së bashku.
Kur shpatullat janë të dobëta, një pjesë më e madhe e ngarkesës përfundon te kyçi. Forcimi i tyre mund të ndihmojë në shpërndarjen më të mirë të kësaj ngarkese.
Një ushtrim i thjeshtë është ngritja anësore e krahëve. Qëndroni drejt, mbajini krahët anash dhe ngrijini ngadalë drejt tavanit. Më pas ulini po aq ngadalë. Përsëriteni 10 herë.
2. Forconi kapjen e dorës
Muskujt e parakrahut lidhen me dorën në të dyja anët e kyçit dhe luajnë rol të rëndësishëm në stabilitetin e tij.
Për këtë ushtrim mund të përdorni një top terapeutik, plastelinë terapeutike ose, në mungesë të tyre, një top tenisi.
Mbajeni në pëllëmbë dhe shtrëngojeni sa më fort për 5–10 sekonda. Lëshojeni, pushoni për rreth pesë sekonda dhe përsëriteni. Bëni 10 përsëritje për secilën dorë.
Forca e kapjes është gjithashtu një tregues që studiuesit e kanë lidhur me shëndetin dhe funksionalitetin fizik në moshë të madhe.
3. Përkuleni dhe shtrijeni kyçin
Një tjetër mënyrë për të forcuar kyçet është përdorimi i një rezistence të lehtë.
Uluni dhe mbështeteni parakrahun mbi një tavolinë, duke lënë dorën jashtë skajit. Mbani një peshë të lehtë dhe lëvizni kyçin lart e poshtë.
Për përkuljen, pëllëmba duhet të jetë e kthyer lart. Ngrijeni dorën drejt trupit dhe më pas uleni ngadalë.
Për shtrirjen, pëllëmba duhet të jetë e kthyer poshtë. Ngrijeni dorën drejt tavanit dhe më pas uleni.
Në vend të peshave mund të përdorni edhe një brez elastik për rezistencë.
Këto lëvizje janë veçanërisht të dobishme për njerëzit që kalojnë shumë orë duke shkruar në tastierë ose në telefon.
4. Rrotulloni kyçin
Ushtrimet e pronacionit dhe supinacionit ndihmojnë në ruajtjen e amplitudës së lëvizjes dhe funksionalitetit të kyçit.
Mbështeteni parakrahun mbi tavolinë, me dorën jashtë skajit dhe gishtin e madh të drejtuar lart. Rrotullojeni ngadalë dorën derisa pëllëmba të shohë poshtë. Kthehuni në pozicionin fillestar dhe më pas rrotullojeni në drejtimin tjetër, derisa pëllëmba të shohë lart.
Përsëriteni 10 herë.
Kyçet në një botë ”moderne”
Këto ushtrime po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme edhe për një arsye tjetër: mënyra moderne e jetesës.
Një pjesë e madhe e ditës kalon me duart në pozicione të fiksuara. Tastiera, telefoni, mausi i kompjuterit dhe pajisje të tjera na detyrojnë të përdorim kyçet për orë të tëra në të njëjtën mënyrë.
Specialistët thonë për këtë se duart kalojnë një pjesë të madhe të kohës në pozicione të kufizuara.
Kyçet janë ndër ato pjesë të trupit që i marrim si të mirëqena derisa nuk funksionojnë më si më parë. Dhe ndoshta ky është argumenti më i mirë për të filluar të kujdesemi për to tani, jo kur dhimbja të na detyrojë.
BBC-ad
