Kundërshtarët e zgjerimit të shpejtë të qendrave të të dhënave në Shtetet e Bashkuara zhvilluan të shtunën protesta në 42 shtete, në përpjekjen e parë mbarëkombëtare për të shprehur kundërshtimin ndaj zgjerimit të infrastrukturës së inteligjencës artificiale.
Organizatorët e lëvizjes “HumansFirst” e cilësuan ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave si një proces “pa llogaridhënie” dhe ngritën shqetësime për ndikimin e tyre në komunitete.
Në Atlanta, një grup protestuesish u mblodhën përpara Kapitolit të shtetit të Xhorxhias, duke mbajtur pankarta kundër zgjerimit të qendrave të të dhënave. Ata shprehën shqetësime për lehtësitë fiskale të dhëna për industrinë, zhurmën, humbjen e hapësirave të gjelbra dhe ndikimin e objekteve të mëdha në zonat lokale.
Kundërshtimi ndaj qendrave të të dhënave është një nga çështjet e pakta që ka bashkuar amerikanët përtej ndarjeve politike. Një sondazh i Reuters/Ipsos në muajin qershor tregoi se vetëm 14 për qind e të anketuarve do të mbështesnin ndërtimin e një qendre të të dhënave në komunitetin e tyre për projekte të inteligjencës artificiale të kompanive të mëdha teknologjike.
Ndërkohë, kompanitë si Meta, Alphabet, Amazon, Microsoft dhe xAI e Elon Musk po investojnë miliarda dollarë në zgjerimin e kapaciteteve të inteligjencës artificiale, duke rritur kërkesën për qendra të reja të përpunimit të të dhënave./mxh
