Tufa të dendura tymi u ngritën mbi kodrat pranë Pembertonit, në provincën British Columbia të Kanadasë, ndërsa helikopterët vijuan operacionet për përballimin e zjarreve masive që kanë përfshirë vendin.
Pamjet vijnë në një kohë kur sezoni i zjarreve në Kanada mbetet aktiv, me qindra vatra që vazhdojnë të digjen në zona të ndryshme të territorit.
Autoritetet federale kanadeze njoftuan se gjatë natës janë regjistruar 69 zjarre të reja, duke e çuar numrin total të vatrave aktive në 955. Deri tani, më shumë se 28 mijë e 500 kilometra katrorë tokë janë përfshirë nga zjarret në të gjithë Kanadanë.
Zyrtarët thanë se situata në provincën Ontario ka nisur të përmirësohet, ndërsa parashikimet meteorologjike pritet të sjellin kushte më të favorshme në ditët e ardhshme.
Megjithatë, tymi i zjarreve ka kaluar kufirin me Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar alarme për cilësinë e ajrit në disa zona.
Agjencia amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit vlerësoi se cilësia e ajrit ishte në nivele të pashëndetshme në një zonë të gjerë që shtrihej nga Ontario jugore deri në pjesë të verilindjes dhe rajonit Mid-Atlantic të Shteteve të Bashkuara./mxh
