Last Updated on 20/07/2026 by EL
Një zbulim i ri shkencor mund të hapë rrugën për një alternativë të qëndrueshme ndaj plastikës. Studiuesit kanë arritur të riprodhojnë në laborator mëndafshin e prodhuar nga bleta e vetmuar Osmia lignaria, duke krijuar një biomaterial fleksibël, të lehtë dhe të biodegradueshëm me potencial të madh për përdorime industriale. Prej vitesh, shkencëtarët janë përpjekur të imitojnë mëndafshin e merimangave, i njohur për rezistencën dhe elasticitetin e tij të jashtëzakonshëm. Megjithatë, prodhimi i tij në laborator ka rezultuar tepër i vështirë. Për këtë arsye, kërkimet janë përqendruar te një burim tjetër natyror, bletët. Studimi, i publikuar njëkohësisht në revistat STAR Protocols, PLOS One dhe SynBio, u zhvillua nga një ekip i Universitetit Shtetëror të Utah-ut në laboratorin e njohur si “Spider Silk Lab”. Edhe pse ky laborator fokusohet kryesisht te mëndafshi i merimangave, studiuesit zbuluan se edhe shumë insekte, përfshirë bletët, grerëzat dhe milingonat, prodhojnë mëndafsh me veti të veçanta.
Tek bletët sociale, si bletët e mjaltit dhe bletët bombus, mëndafshi përdoret për të veshur qelizat e koshereve ku zhvillohen vezët. Ndërsa bletët e vetmuara, që përbëjnë rreth 75% të të gjitha llojeve të bletëve, e përdorin atë për të ndërtuar fshikëza mbrojtëse ku kalojnë fazën e zhvillimit nga larvë në insekt të rritur. Këto fshikëza i mbrojnë nga nxehtësia, ruajnë lagështinë dhe i mbajnë larg parazitët.
Lloji Osmia lignaria duhet të mbrohet veçanërisht nga grerëzat parazitare, të cilat vendosin vezët e tyre brenda trupit të viktimës. Për këtë arsye, fshikëza e saj duhet të jetë jashtëzakonisht e fortë.
Për të studiuar këtë material, shkencëtarët zhvilluan një metodë jo invazive që u lejon të nxjerrin fijet e mëndafshit direkt nga goja e larvave, pa dëmtuar insektet. Larvat vazhdojnë të prodhojnë mëndafsh edhe pas marrjes së mostrave.
Pasi analizuan strukturën e këtyre fijeve, studiuesit arritën t’i riprodhonin ato artificialisht në laborator. Edhe pse materiali nuk është ende gati për përdorim praktik, protokolli i ri konsiderohet një hap i rëndësishëm për prodhimin e biomaterialeve të reja.
Sipas autorëve të studimit, e njëjta metodë mund të zbatohet edhe te specie të tjera bletësh që prodhojnë mëndafsh edhe më rezistent dhe elastik. Nëse teknologjia arrin të zhvillohet në shkallë industriale, mëndafshi i bletëve mund të bëhet një nga alternativat më premtuese për të zëvendësuar plastikën dhe për të reduktuar ndotjen mjedisore.
