Planet e David Lammy-t për drejtësi me kosto të ulët rrezikojnë ta përjashtojnë publikun nga sistemi ligjor – gjë që do të dëmtonte edhe më shumë besimin tek ai.
Simon Jenkins: David Lammy ka të drejtë të shkurtojë përdorimin e jurive – është një çështje e thjeshtë për t’u zgjidhur
nga Gaby Hinsliff
Për të mirën e drejtësisë britanike, diçka duhet të ndryshojë. Të gjithë e dinë se gjykatat janë në krizë, se nuk mund të vazhdohet kështu. Viktimat e traumatizuara nuk mund të vazhdojnë të dëgjohen se data më e afërt e mundshme për një gjyq është në vitin 2029 – pra, ose duhet të jetojnë me këtë barrë edhe katër vjet të tjera, ose të heqin dorë. (E as të pandehurit nuk mund t’i mbajnë jetët e tyre pezull pafundësisht, duke u shqetësuar se kujtesa e dëshmitarëve vetëm sa do të zbehet me kohën.) Diçka duhet të ndryshojë. Por ideja se zgjidhja e vetme është heqja e gjykimeve me jurí përveç rasteve më të rënda të përdhunimit, vrasjes dhe krimeve të tjera me dënime mbi pesë vjet – siç sugjeron një letër e rrjedhur e sekretarit të drejtësisë David Lammy – duhet të ndezë sinjalet e alarmit.
Kushdo që ka qëndruar mjaft gjatë në një sallë gjyqi, pa le më të ketë qenë në një juri, e di se nuk është aspak si në filmin 12 Angry Men. Anëtarët e publikut të thirrur të shpërndajnë “drejtësi amatore” kanë të njëjtat të meta, kufizime dhe prirje për t’u përgjumur gjatë pjesëve të mërzitshme – ose, si në një rast të paharrueshëm në Old Bailey, të pyesin vazhdimisht nëse dëshmitari simpatik është i lirë – ashtu si të gjithë ne, dhe ndryshe nga gjyqtarët, ata nuk janë të detyruar të japin arsyet për vendime shpesh të pashpjegueshme. Juritë janë famëkeqe për hezitimin për të dënuar në rastet e përdhunimit që nuk janë krejt të drejtpërdrejta, dhe dyshimet e ekspertëve mbi dënimin për vrasje të Lucy Letby-t janë një argument i fortë për t’i hequr ato nga çështje me prova mjekësore jashtëzakonisht të ndërlikuara. Megjithatë, pavarësisht këtyre, ato mbeten absolutisht thelbësore për parimin e drejtësisë së dukshme.
Besimi i publikut tek institucionet varet, siç e shprehu këtë javë Lady Helena Kennedy KC, ish-mentore ligjore e kryeministrit, nga përfshirja e publikut në një strukturë që përndryshe mund të duket e largët. Shërbimi në juri është e vetmja mundësi që shumica e njerëzve ndonjëherë të shohin “si bëhet sallami ligjor” dhe, edhe pse rezultatet nuk janë gjithmonë të kënaqshme, përjashtimi nga procesi është edhe më pak i përshtatshëm për të frymëzuar besim. Ndërkohë, për të pandehurit dhe familjet e tyre, e drejta për t’u gjykuar nga bashkëmoshatarët – përfshirë njerëz që u ngjajnë më shumë atyre në bankën e të akuzuarve sesa atyre në paruke – ka rëndësi.
Edhe me një trupë gjyqësore gjithnjë e më të larmishme, juritë shihen si mburojë ndaj racizmit – siç argumentonte vetë Lammy përpara se të merrte këtë post: dymbëdhjetë persona me paragjykime të ndryshme mund, paradoksalisht, të kenë më shumë gjasa t’i neutralizojnë kolektivisht supozimet e njëri-tjetrit sesa një i vetëm, sado i trajnuar për të qenë i paanshëm.
Dhe me riskun të tingëlloj pak paranojake, juritë janë një garanci kundër politizimit të gjykatave – një mbrojtje që nuk duhet nënvlerësuar në klimën aktuale. Gjyqtarët emërohen – një proces shumë më i lehtë për t’u kapur nga qeveri të ardhshme me qëllime keqdashëse sesa tërheqja e emrave të rastësishëm nga një listë telefonike.
Ndoshta do të ia vlente t’i kapërcenim të gjitha këto frikëra nëse juritë do të ishin shkaku kryesor i bllokimit. Por kur vetëm 1% e çështjeve penale në Angli dhe Uells përfundojnë përpara një jurie, në rastin më të mirë kjo duket si mbulim për problemin e vërtetë: mungesën e gatishmërisë publike për të paguar shërbimet që duam.
Ashtu si me listat e gjata të pritjes në NHS dhe azilkërkuesit të mbyllur për vite me radhë në hotele, ngërçi gjyqësor është trashëgimia e zgjedhjeve buxhetore të qeverive të mëparshme, për të cilat kjo e tanishmja po fajësohet padrejtësisht. Sistemi është bllokuar për shkak të nënfinancimit kronik jo vetëm të gjykatave, por edhe shërbimeve të tjera publike që ato kanë nevojë për të funksionuar. Vonesat e gjata për analizimin e të dhënave të telefonave, ose për marrjen e raporteve nga shërbimet e provës dhe punonjësit socialë para dënimit, të gjitha shtohen – po ashtu edhe koha e humbur nga të pandehurit që nuk kualifikohen për ndihmë juridike dhe përpiqen të përdorin ChatGPT për të mbrojtur veten.
Ndërkohë, ana e patreguar e historisë është rritja e ndërlikuar e ligjit – zakonisht si rezultat i kërkesave publike që “diçka duhet bërë” – dhe policimi më aktiv i abuzimeve seksuale historike dhe shfrytëzimit të ndërlikuar, pra pikërisht ajo që shoqëria kërkon nga policia dhe prokurorët, por pa financimin e duhur që ta çojnë deri në fund.
Propozimet e Lammy-t pasojnë një rishikim nga Sir Brian Leveson KC, i cili propozoi heqjen e të drejtës së të pandehurve për të kërkuar gjykim me jurí në disa raste “dy mënysh” (që mund të gjykohen si në gjykatat e magjistratëve ashtu edhe në ato të kurorës); krijimin e një seksioni të ri pa jurí të përbërë nga gjyqtarë dhe magjistratë për raste të tjera; dhe lejimin që gjyqtari të gjykojë i vetëm raste shumë serioze nëse i pandehuri e kërkon ose nëse gjyqtari e vlerëson çështjen tepër komplekse.
Por siç e bën të qartë ai në raportin e vet, Leveson duhej të merrte në konsideratë “kontekstin e mundshëm operacional dhe financiar”, që në zhargonin e Whitehall-it do të thotë: “Nuk ka para, prandaj mos mendoni shumë lart.” Ai kreu me mirëbesim detyrën që iu dha: të gjente mënyra të lira për të filluar reduktimin e ngërçit dhe të besonte se fondet do të vinin më vonë për ta përfunduar punën. (Heqja e jurive nuk kursen shumë para, por Leveson llogarit se kjo do të lirojë 20% të kohës së seancave gjyqësore, duke lejuar më shumë çështje të dëgjohen brenda buxhetit aktual.) Është i njëjti bast që mbështet buxheti i Rachel Reeves këtë javë – shpresa se diçka do të ndryshojë para vitit 2029, duke shmangur zgjedhje më të vështira – me të gjitha rreziqet dhe përfitimet që mbart.
Drejtësia e vonuar është, siç thuhet, drejtësi e mohuar. Le të shpresojmë që drejtësia e bërë “me kursime” të mos shndërrohet në drejtësi të diskredituar.
*Gaby Hinsliff është kolumniste e Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
