Last Updated on 18/06/2026 by Anisa
Seanca plenare u përfshi nga tensione, pasi deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren dhe nuk lejuan deputetin e Partisë Socialiste, Ardit Bido, të mbante fjalën. Për shkak të situatës së krijuar, kryetari i seancës, Niko Peleshi, ndërpreu punimet e Kuvendit, duke dhënë një pushim prej 5 minutash.
Gjithçka nisi pas një replike të deputetit Taulant Balla ndaj deputetes Ina Zhupa. Në fjalën e tij, Balla u shpreh:
“Nëse ka një fitore të këtyre protestave, është fakti se deri më tani paqësore, pa molotovë, pa dhunë dhe mbi të gjitha i morën sheshin atij atje, ia morën. Çdo të hënë me krushqit me 40-50 veta, ua morën. Ti je humbësi i madh këtu Sali. Sa i përket amendamentit 17 të propozuar nga Deputetët e Gjelbër. Ju keni votuar kundër në PE, sepse partia Popullorë Europiane, ku merrni pjesë, votoi kundër. Po ashtu, edhe Partia Konservatore. Ne kemi votuar pro në PE, ju keni votuar kundër. Kjo është e vërteta”.
Pas kësaj deklarate, deputetët e Partisë Demokratike kërkuan të drejtën e replikës, por kërkesa u refuzua nga drejtuesi i seancës, Niko Peleshi.
“Nuk ka replikë mbi replikë, kjo është rregullorja që e keni miratuar vetë. Uluni të vazhdojmë seancën. Gjeni një arsye tjetër për ta prishur seancën, sepse kjo nuk qëndron”, u shpreh Peleshi.
Menjëherë më pas, deputetët demokratë u mblodhën përpara foltores, duke refuzuar të largoheshin dhe duke penguar Ardit Bidon të merrte fjalën. Gjatë tensioneve nuk munguan as etiketimet nga ana e deputetit Flamur Noka, i cili iu drejtua Bidos me thirrjen: “O zoti Bideja”.
Për shkak të situatës së krijuar dhe pamundësisë për të vijuar normalisht punimet, Niko Peleshi vendosi të ndërpresë seancën plenare, duke shpallur një pushim 5-minutësh./ad
