Historia e Brikena Selmanit dhe Mateo Borrit duket se ka lënë pas momentet e paqarta dhe uljet e ngritjet që kanë shoqëruar lidhjen e tyre, duke marrë tashmë një tjetër dimension.
Mbrëmjen e së shtunës, Brikena ishte pjesë e një feste të rëndësishme familjare, pasi martoi djalin e tezes në një ceremoni madhështore të zhvilluar në “White Garden Events” në Prishtinë. Mes të ftuarve ishte edhe Mateo, duke tërhequr vëmendjen me praninë e tij në një event kaq të rëndësishëm për familjen e Brikenës.
Prania e Mateos nuk është thjesht një detaj, sidomos nëse kthehemi pas në historinë e tyre. Dyshja kishte treguar gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP Albania 5” se njiheshin prej rreth katër vitesh, por rrugët e tyre asokohe nuk kishin marrë drejtimin që kanë sot.
Mateo kishte rrëfyer se kishte udhëtuar drejt Prishtinës për të takuar Brikenën, por takimi ishte penguar nga ndërhyrja e familjarëve të saj. Një histori që atëherë dukej e mbyllur, do të rikthehej vite më vonë në një nga formatet më të ndjekura në vend.
Brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 5”, afrimi mes tyre u bë gjithnjë e më i dukshëm. Pas një periudhe njohjeje dhe emocionesh, Mateo i bëri Brikenës propozimin për të nisur një lidhje, ndërsa produksioni i surprizoi më pas me një ceremoni simbolike martese.
Edhe familja e Brikenës u përfshi në këtë histori. Daja i saj, i cili ishte përmendur pikërisht në rrëfimin e vjetër të Mateos, i dërgoi një mesazh gjatë spektaklit, duke lënë të kuptohej se tashmë ishte i gatshëm ta takonte dhe të bisedonte me të.
Por edhe pas daljes nga reality show, lidhja nuk ka qenë gjithmonë në qetësi. Në fund të majit, mungesa e fotove të përbashkëta dhe fakti që dyshja nuk ndiqej më në Instagram ndezën menjëherë dyshimet për një ndarje.
Vetëm pak javë më vonë, një moment i tyre në “Top Arena” riktheu sërish pikëpyetjet për një pajtim të mundshëm. Ndërsa në korrik, Brikena dhe Mateo u shfaqën së bashku gjatë pushimeve në jug të Shqipërisë, duke dhënë një tjetër sinjal se raporti mes tyre vazhdonte.
Tashmë, duket se historia ka hyrë në një fazë tjetër. Mateo nuk është thjesht pranë Brikenës në daljet publike, por po shfaqet edhe në rrethin e saj familjar, një detaj që tregon se lidhja mes tyre mund të jetë më serioze se sa është dukur gjatë muajve të fundit./mxh
