Last Updated on 05/03/2026 by Kesjana
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kritikuar ashpër mënyrën e drejtimit të seancës parlamentare, duke akuzuar mazhorancën dhe drejtuesin e Kuvendit, Niko Peleshin se po kufizojnë të drejtat e opozitës për të folur dhe replikuar.
Sipas tij, opozita po përballet me ndërprerje të fjalës dhe përjashtime nga seancat.
Deputeti demokrat përmendi edhe rastin e përjashtimit të tij nga seancat, vendim i marrë nga Komisioni i Etikës i drejtuar nga Ulsi Manja.
Ai tha se ishte ndëshkuar pasi kishte kërkuar që në rendin e ditës të vendosej kërkesa e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për masë sigurie ndaj zëvendëskryeministres.
Këlliçi kritikoi gjithashtu nismën e Partia Socialiste e Shqipërisë për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, e cila sipas tij synon të përgjysmojë kohën e diskutimit të deputetëve nga 10 në 5 minuta. Ai e cilësoi këtë një përpjekje për të kufizuar zërin e opozitës.
Në përfundim, Këlliçiu i bëri thirrje Këlliçit që të shmangin provokimet dhe të qëndrojnë, në lartësinë e detyrës, duke garantuar të drejtat parlamentare për të gjithë deputetët.
“Duke qenë se rikthehem pas tre muajsh, mendova se kishe reflektuar edhe i kishe marrë parasysh të gjitha shqetësimet e partnerëve, edhe takimet që ke bërë, se je nga të paktët politikanë që je pritur edhe në Amerikë. Por me sa duket, largimi i ministres së Jashtme, si pjesë e klubit të anglishtfolësve në PS, të ka detyruar të radikalizohesh nga ndonjë merak i brendshëm që mund të kesh.
E nise me zotin Balliu, tre muaj edhe ai i përjashtuar, i hoqe fjalën. E tentove, me zonjën Zhupa, e vazhdove me kreun e grupit parlamentar të PD-së. Nuk e kuptoj këtë qasje tënden. Është absurde. Kjo shkon paralel edhe me nismën e Partisë Socialiste për të ndryshuar sërish në mënyrë të njëanshme rregulloren dhe për të përgjysmuar minutat e deputetëve, nga 10 në 5.
Niko, shkëputu nga, qasja që ka marrë ky Kuvend për t’u bërë mburojë, ta them sinqerisht, për t’u bërë mburojë e korrupsionit. Unë jam përjashtuar me vendimmarrjen tuaj dhe të Komisionit të Etikës drejtuar nga Ulsi Manja, sepse kam kërkuar pikërisht të zbatohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për masën e sigurisë për zëvendëskryeministren dhe të vinte në rend diten, se është çështje prioritare. Këtë e kërkon Brukseli, këtë e kërkojnë shqiptarët, këtë e kërkon integrimi evropian i vendit. Por është absurde që pas tre muajsh të vish në parlament dhe situata të jetë më e agravuar. Është absurde që t’i privosh deputetët e opozitës nga e drejta edhe për replikë, edhe për fjalë, dhe t’u ndërhysh në fjalë madje…
Është e turpshme, kjo mënyrë drejtimi e seancës. Kur nuk keni asnjë fyerje, asnjë etiketim, as nga deputetët e opozitës, dhe për më tepër, çohet kreu i grupit parlamentar të PS-së, fyen kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, fyen deputetët e opozitës, i flet edhe në emër të besimit, dhe ndërkohë i tërhiqet vëmendja kreut të grupit parlamentar të PD-së. Kjo është, kjo është e paimagjinueshme, sinqerisht.
Lini edhe provokimet, lini edhe këto tentativa për të ndezur konflikt brenda opozitës. Ju garantoj që është mirë për ju të qëndroni në lartësinë e detyrës tuaj”, tha Këlliçi/kb
