Last Updated on 01/10/2026 by Monika
Deputeti dhe nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, komentoi sot qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në luftën kundër korrupsionit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se Rama ka dalë me një tezë tallëse ndaj qytetarëve, ndërsa duhet të luftojë korrupsionin e prodhuar nga qeveria e tij.
Sipas demokratit, Rama normalizon abuzimin dhe hajdutërinë shtetërore si sjellje natyrale, ndërsa largimi i tij, si individi që krijoi këtë sistem, është zgjidhja më e mirë.
Postimi i plotë:
Teza tallëse e Edi Ramës për sistemin që korrigjon veten!
Teza e Edi Ramës se sistemi duhet të korrigjojë korrupsionin është një tallje e rëndë me qytetarët. Ai po thotë se nuk mund dhe nuk di të jetë ndryshe, se qeverisja e tij prodhon vetëm skandale dhe afera, madje duket sikur pohon se kjo është detyra e tij.
Dhe më tej duhet të merret drejtësia. Edi Rama e normalizon abuzimin dhe hajdutërinë si sjellje natyrale. Ndërkohë që është pikërisht qeveria e para që lufton korrupsionin. Duke rritur transparencën, auditimin, garancitë e zbatimit të ligjit e duke ndërhyrë te pikat e dobëta të procedurave. Këtë bën një ekzekutiv me integritet. Kjo është masa e parë e madhe për të ruajtur taksat e qytetarëve.
Drejtësia trajton rastet kur qeveria dështon ta bëjë detyrën.
Por me Edi Ramën kemi të bëjmë jo me dështime, por me përfshirje me vetëdije të plotë në favorizime, trafik influence, abuzim, shpërdorim, prishje të barazisë dhe konkurencës.
Është e gjitha një korrupsion i paramenduar. Vjen erë çdo akt, çdo vendim, çdo firmë që hidhet. Në këto kushte, me këtë mendësi agresive për të vjedhur, s’ka drejtësi që bën derman edhe sikur të ishte e pavarur.
Sistemi është i kalbur në themel, me qëllim, s’ka si të korrigjohet.
E vetmja rrugë, e vetmja zgjidhje është largimi i atij që e krijoi dhe e rriti këtë sistem. Largimi i Edi Ramës!/mxh
