Last Updated on 23/05/2026 by Anisa
Nga Eduard Dervishi
Në udhëtimet e mia nëpër klubet e futbollit europian dhe botëror, ajo që më ka tërhequr më shumë ka qenë historia e tyre e pasur, mënyra si funksionojnë dhe lidhja e thellë me komunitetin. Gjej një kënaqësi të veçantë në zbulimin e historive të pathëna, shpesh të panjohura të njerëzve, ish-futbollistë apo jo, që kanë luajtur një rol jetik në historinë e këtyre klubeve. Më pëlqen t’i quaj ata “lojtarët” e ekipit të padukshëm, “the team behind the team”. Janë ata njerëz të përkushtuar që punojnë larg dritave të skenës duke kujdesur rrënjët, traditat dhe shpirtin e klubit.
Një histori e tillë e jashtëzakonshme është ajo e Ken Friar, një njeri aq i lidhur me historinë e Arsenal K.F. saqë njihet me dashuri si “Zoti Arsenal”. Kam pasur privilegjin ta takoj gjatë angazhimeve të mia si delegat në ndeshjet e Arsenalit dhe biseda ime e fundit me të më riktheu te një histori që kisha lexuar vite më parë dhe që më kishte lënë pa fjalë. Për më shumë se shtatë dekada, Ken Friar ka qenë një nga figurat më të rëndësishme në jetën e klubit londinez. Rruga e tij në këtë klub, e nisur në mënyrën më të papritur, nuk është thjesht një histori përkushtimi; është një dëshmi e fuqisë së pasionit, besnikërisë dhe dashurisë së pakushtëzuar për një klub që bëhet pjesë e jetës së njeriut.
“Një ditë të vitit 1945, isha 12 vjeç dhe si gjithë djemtë e asaj kohe po luanim futboll jashtë stadiumit në Avenell Road. Gjatë lojës, topi na iku nga kontrolli dhe përfundoi poshtë një makine. Vrapova pas tij dhe u futa poshtë makinës për ta marrë. Papritur dëgjova një zë: ‘Djalosh, çfarë po bën aty?’ U frikësova shumë… Ishte menaxheri i Arsenal F.K., i mirënjohuri George Allison.
Ai më pa dhe më kërkoi të shkoja të nesërmen në klub për ta takuar. Asnjëherë nuk e mora vesh arsyen (thuhet se Allison u impresionua nga entuziazmi i atij çuni). Do të kishte qenë më e lehtë të largohesha dhe historia të përfundonte aty por unë iu binda dhe të nesërmen shkova në klub. Ai më prezantoi me shefin e biletarisë dhe më ofruan të punoja gjysmë dite në javë. Në ditët e ndeshjes detyra ime ishte të çoja mesazhet nga dera kryesore deri në zyrën e biletarisë. Dhe aty filloi gjithçka…”
Pas përfundimit të studimeve ai mori disa oferta pune nga sektorë të ndryshëm. Kishin kaluar pesë vjet që nga ajo punë e parë e përkohshme në klubin “Arsenal” K.F., kur një ditë përfaqësues të klubit vizituan familjen e tij duke shprehur dëshirën që ai të punonte me kohë të plotë.
Prindërit e tij ranë dakord por ai fillimisht hezitoi, pasi paga e ofruar nga një zyrë agjentësh të bursës ishte dy herë më e lartë se ajo që do të merrte në Arsenal K.F.
Megjithatë, pas një periudhe reflektimi, ai vendosi të pranonte ofertën e klubit londinez.
Në gusht të vitit 1950 nisi detyrën si punonjës me kohë të plotë. Që nga ajo ditë, ai shërbeu në pothuajse të gjitha departamentet e klubit, duke ndërtuar gradualisht një karrierë të jashtëzakonshme që kulmoi me postin e Drejtorit Ekzekutiv dhe më pas, me titullin e Presidentit të Përjetshëm të Arsenal K.F.
“Sa shumë kanë ndryshuar gjërat që atëherë” —thotë ai. “Kur ende punonim në Highbury, në fillim të viteve 2000, kishim vetëm njëqind e nëntë punonjës.
Sot numri i tyre është pothuajse katër herë më i madh. Kujtoj veçanërisht periudhën kur filluam punën për stadiumin e ri. Ishin vite jashtëzakonisht sfiduese. Për gati gjashtë vjet, e nisnim punën në orën tetë të mëngjesit dhe ndonjëherë kthehesha në shtëpi vetëm në gjashtë të mëngjesit të ditës tjetër. Në atë kohë djali im jetonte ende me ne pasi po rregullonte shtëpinë e tij.
Një natë, ndërsa po hapja derën me kujdes që të mos zgjoja askënd, ai zbriti shkallët dhe më pyeti: ‘Të duket normale kjo orë, baba?’ Ishte e çuditshme ta dëgjoja nga ai të njëjtën fjali që unë ia kisha përsëritur aq shpesh kur ishte i ri.”
“Për mua ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm. E konsideroj veten me shumë fat që kam qenë pjesë e një klubi si Arsenal K.F. Kemi punuar gjithmonë si një ekip; kemi pasur një grup të shkëlqyer njerëzish jashtë fushës dhe filozofia jonë ka qenë gjithmonë ‘NE’, përpara ‘UNË’.
Janë njerëzit ata që e bëjnë një klub të madh: tifozët, menaxheri, lojtarët dhe të gjithë ata që punojnë çdo ditë për të.
Ne kemi ndërtuar disa vlera që i konsideroj shumë të çmuara dhe që nuk duhet t’i harrojmë kurrë. Nëse do të kisha ndonjë meritë, është përpjekja për të luajtur një rol modest në ruajtjen dhe vazhdimësinë e këtyre traditave.
Tradita nuk paguan pagat por ajo mbetet një pjesë thelbësore e shpirtit dhe strukturës së klubit.Shoqëria, futbolli dhe vetë klubi kanë ndryshuar rrënjësisht gjatë viteve por ‘Arsenali’ ka mbetur një forcë konstante.
Kemi fituar dhe kemi humbur shumë ndeshje por gjithmonë e kemi pasur të qartë se klubi duhet të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm në futboll por edhe në komunitetin lokal dhe më gjerë. Dhe jam i bindur se do të vazhdojmë në këtë rrugë.”
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, KF Arsenal e nderoi atë në një mënyrë që i përshtatet trashëgimisë së tij. Më 14 prill 2011, ura veriore, e cila lidh Stadiumin Emirates me stacionin e metrosë Arsenal, u quajt zyrtarisht “Ura Ken Friar.” Po ashtu, u ngrit një statujë në nder të tij, duke e paraqitur atë si një djalosh të vogël, duke luajtur me top jashtë stadiumit të vjetër Highbury në vitin 1945, një moment që, pa e ditur, do të formësonte të ardhmen e tij.
Në shtator të vitit 2020, pasi kishte kaluar një rrugëtim të jashtëzakonshëm prej 70 vitesh me klubin, ai u emërua President i Përjetshëm i Arsenal K.F.
Ta takoja dhe të bisedoja me këtë zotëri të jashtëzakonshëm, një legjendë e vërtetë e futbollit anglez dhe botëror, ishte një privilegj i madh. Klubet fitojnë trofe me lojtarë të mëdhenj por ndërtohen nga njerëz si Ken Friar.


