Last Updated on 29/04/2025 by adminfjala
Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu për t’u liruar nga burgu, duke e lënë në qeli.
Ish-magjistratja pretendoi një masë më të lehtë sigurie, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Pajtime Fetahu u arrestua me urdhër të SPAK, pasi emri i saj doli në dy dosje të rëndësishme. Ajo ishte përfshirë në organizatën kriminale të Çopjave, si dhe në grupin e Suel Çelës në Elbasan.
Fetahu akuzohet se ka favorizuar bandat me vendimet e saj, duke konsumuar veprën penale të korrupsionit.
Për dosjen e parë ndaj saj u caktua masa e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, ndërsa për dosjen e dytë ‘arrest në burg’.
Fetahu mbahet në qelinë e paraburgimit që prej muajit nëntor të vitit të kaluar. Përfshirja e saj me krimin e organizuar u zbulua pas zbërthimit të aplikacioneve të koduara SKY ECC./E.S