Last Updated on 10/02/2026 by EL
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një deklaratë publike, KASH thekson se forma dhe narrativa që po merr ky proces rrezikojnë seriozisht deformimin e realitetit historik dhe juridik të Luftës së Kosovës. Sipas Këshillit, lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte një reagim i ligjshëm dhe i domosdoshëm ndaj një fushate sistematike shtetërore të dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës të ushtruara nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, i dënuar tashmë moralisht dhe juridikisht nga komuniteti ndërkombëtar.
KASH vlerëson se çdo përpjekje për të barazuar agresorin shtetëror me popullin që luftoi për mbijetesë dhe liri përbën një fyerje jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për vetë ndërhyrjen ndërkombëtare të Perëndimit, e cila u ndërmor për të ndalur krimet e luftës dhe gjenocidin në zemër të Evropës.
Sipas deklaratës, ky proces rrezikon të relativizojë dhe madje të amnistojë përgjegjësinë historike dhe politike të udhëheqjes shtetërore serbe për krimet e kryera në Kosovë, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të drejtën ndërkombëtare.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë riafirmon mbështetjen e tij për drejtësinë ndërkombëtare të paanshme, por thekson se drejtësia nuk mund dhe nuk duhet të shkëputet nga e vërteta historike dhe konteksti i plotë i ngjarjeve.
Në përfundim, KASH nënvizon se çlirimi i Kosovës ishte një akt legjitim i një populli të shtypur dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një forcë çlirimtare, duke mos pranuar që ajo të shndërrohet në objekt të revizionizmit politik apo juridik./et
