Last Updated on 09/08/2026 by EL
Banorët e Krujës kanë përjetuar mbrëmjen e djeshme tmerr si pasojë e zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu faqen e malit e që mbërriti fare pranë shtëpive. Më te rrezikuarit ishin banorët e lagjeve Abaze, Barabit dhe Varosh.
Në profilin e tij në facebook, kryeministri Edi Rama ka publikuar disa prej banorëve, të cilët i janë falënderues gatishmërisë që strukturat e shtetit treguan në përballimin e këtij rreziku të madh.
“Shih çfarë është bërë këtu. Kujtova se mu dogj shtëpia. Shteti ka qenë në këmbë, ministri i Brendshëm, Hita. Mos të kishin qenë ata, shtëpia ime e lagja do ishte djegur. Ua bëftë zoti hallall zjarrfikësve, policëve, emergjencave, të gjithëve, këtu është dëgjuar era shtet. Faleminderit shumë”, thotë një prej banorëve.
Aktualisht vatrat e zjarrit në malin e Krujës janë izoluar dhe rreziku është eliminuar. Qindra banorë të evakuuar nga mbrëmja e djeshme, janë rikthyer sot në shtëpitë e tyre, ndërsa fatmirësisht përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur persona të lënduar.
“E shikoni vetë komplet kjo pjesa e djegur, shtëpia, zjarri këtu. Zoti është i madh dhe shteti shqiptar ka qenë në gatishmëri. Puna dhe gatishmëria që është bërë këtu, neve sot na ka shpëtuar”, thotë një tjetër banor.
Zjarri ka qenë fare pranë shtëpive teksa shumë oborre janë tashmë të shkrumbuara, por vetë ndërtesat nuk kanë pësuar dëmtime. Evakuime ka pasur dhe nga spitali i Krujës si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Përveç ndërhyrjes nga toka, helikopterët kanë asistuar për disa orë nga ajri me qëllim izolimin e rrezikut. Sakaq, policia ka arrestuar dhe një banor të zonës, i dyshuar si autor i zjarrit që dogji hektarë me pyje. Dyshohet se i arrestuari, të ketë ndezur një zjarr në oborrin e shtëpisë së tij për të djegur disa barishte, e më pas flakët i kanë dalë nga kontrolli./et
