Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka theksuar se përgjegjësia kryesore e komandantëve ushtarakë është të sigurojnë përgatitjen e plotë të trupave për çdo konflikt të mundshëm.
Sipas mediave shtetërore, ai vuri në fokus rëndësinë e gatishmërisë luftarake dhe intensifikimit të stërvitjeve ushtarake.
Deklaratat u bënë gjatë një takimi fotografik me pjesëmarrësit e takimit të tretë të drejtuesve të kompanive të Ushtrisë Popullore Koreane, i mbajtur një ditë më parë, raportoi agjencia shtetërore KCNA.
Kim nënvizoi se komandantët duhet të përmirësojnë ndjeshëm përgatitjen dhe stërvitjen e njësive të tyre, me qëllim rritjen e aftësive luftarake.
Ai gjithashtu u kërkoi atyre të dëshmojnë besnikërinë ndaj Partisë së Punëtorëve dhe vendit përmes rezultateve konkrete në drejtimin e trupave.
Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet në Gadishullin Korean mbeten të larta. Muajin e kaluar, një shpërthim në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ), që ndan Korenë e Veriut nga ajo e Jugut, plagosi tre ushtarë koreanojugorë.
Seuli fajësoi Phenianin për incidentin, ndërsa bëri thirrje për rifillimin e komunikimit ushtarak me synimin për të ulur tensionet.
Koreja e Veriut i hodhi poshtë akuzat dhe nuk i është përgjigjur ende propozimit për bisedime. Të dyja vendet i kanë paraqitur Këshillit të Sigurimit të OKB-së versionet e tyre për ngjarjen e 21 shtatorit./mxh
