Një lëvizje e papritur nga Kıvanç Tatlıtuğ ka bërë që emri i aktorit turk të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Ylli i serialeve të njohura turke ka vendosur të mbyllë llogaritë e tij në Instagram dhe X, duke i lënë fansat pa një shpjegim të qartë.
Tatlıtuğ kishte një audiencë prej rreth 5 milionë ndjekësish vetëm në Instagram, ndaj zhdukja e profileve të tij nuk kaloi pa u vënë re. Brenda pak kohësh, rrjetet sociale u mbushën me pyetje dhe spekulime mbi arsyen që e shtyu aktorin të merrte këtë vendim.
Deri tani, vetë Tatlıtuğ nuk ka reaguar publikisht për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një largim të përkohshëm apo për një vendim për t’u shkëputur përfundimisht nga rrjetet sociale.
Në mediat turke po qarkullojnë disa versione, duke nisur nga dëshira e tij për të qëndruar larg vëmendjes virtuale, deri te mundësia që profilet të jenë mbyllur për arsye teknike apo sigurie. Megjithatë, asnjë prej këtyre hipotezave nuk është konfirmuar.
Ndërkohë, aktori ka qenë prej një periudhe jashtë ekranit televiziv. Në mediat turke është raportuar se ai mund të rikthehet së shpejti përmes një projekti të ri digjital, ku pritet të udhëtojë në vende të ndryshme dhe të sjellë histori që lidhen me gastronominë dhe kulturat lokale. Xhirimet raportohet se mund të nisin në shtator.
I njohur në Shqipëri për rolet e tij në “Gümüş”, “Aşk-ı Memnu”, “Kuzey Güney” dhe “Cesur ve Güzel”, Kıvanç Tatlıtuğ mbetet një nga aktorët më të komentuar të industrisë turke.
Tashmë, fansat presin të mësojnë nëse kjo është vetëm një pauzë nga rrjetet sociale apo një shkëputje e gjatë nga bota virtuale./MXH
