Elseid Hysaj ndodhet aktualisht i grumbulluar me Kombëtaren shqiptare për ndeshjet e Ligës së Kombeve, megjithëse vazhdon të mbetet pa skuadër.
Pas mbylljes së eksperiencës me Lazion, mbrojtësi i krahut të djathtë nuk ka gjetur ende një klub të ri. Ascoli është në kërkim të një mbrojtësi dhe shikon te shkodrani një opsion ideal me parametra zero.
Pas refuzimit të ofertës së parë për arsye financiare, italianët nuk kanë hequr dorë dhe kanë paraqitur një propozim të përmirësuar. Ascoli, i cili ndodhet vetëm 3 pikë larg kreut të renditjes, i ka ofruar mbrojtësit kuqezi një kontratë dyvjeçare.
Marrëveshja e re përfshin një rritje të ndjeshme të pagës në rast se skuadra arrin ngjitjen në Serie A. Drejtuesit italianë presin përgjigjen e futbollistit. Nga ana tjetër, Hysaj po shqyrton me kujdes këtë ofertë përpara se të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen./mxh
