Në kuadër të Javës së Modës në Milano, shtëpia e modës Diesel zbuloi koleksionin Vjeshtë/Dimër 2026–2027, duke vënë theksin te autenticiteti, veshjet e përditshme dhe estetika e papërsosur. Drejtori kreativ Glenn Martens solli në pasarelë një vizion që sfidon perfeksionin tradicional, duke prezantuar rroba të dekonstruktuara, me palosje të qëllimshme, materiale të konsumuara dhe silueta të relaksuara.
Sipas Martens, koleksioni është frymëzuar nga momentet spontane të jetës: “Të zgjohesh diku pa e ditur çfarë ka ndodhur një natë më parë dhe të ndihesh personi më i mrekullueshëm kjo është esenca e Diesel.” Pjesët janë konceptuar si të rehatshme dhe të guximshme, për një gardërobë që thekson individualitetin.

Xhinset, element kyç i identitetit të markës, u trajtuan me rrëshira për të krijuar rrudha të përhershme. Modelet përfshinin pantallona ekstra të gjata me çarje vertikale dhe elastike që duken të mbështjella rreth vetes. Krahas tyre, u dalluan edhe trikot me volume të mëdha, të ziera dhe të riformuara për një efekt të përdorur, por luksoz. Ngjyrat pastel u kombinuan me tone të forta, ndërsa motivet florale të prerë në jakë ose në fund të veshjes krijonin efektin sikur materiali ishte “gërryer”.

Shfaqja u zhvillua në një ambient spektakolar, mes rreth 50 mijë objektesh arkivore të markës, që datojnë që nga themelimi i saj në vitin 1978. Instalacioni, i ndërtuar nga mijëra objekte të ripërdorura, theksoi përkushtimin e Diesel ndaj riciklimit dhe upcycling-ut si formë krijuese një filozofi që reflektohet edhe në materialet e qëndrueshme të përdorura në koleksion.





Me këtë prezantim, Diesel riafirmon pozicionin e saj si një markë që sfidon normat, duke propozuar modë të guximshme, autentike dhe thellësisht të veshshme për jetën e përditshme./mxh
