Last Updated on 29/08/2025 by adminfjala
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se Kryeministria është vendi i punës i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti kushdo që dëshiron të takojë atë. Ky reagim i zëdhënësit të qeverisë së Kosovës u bë, pasi Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se nuk do të zhvillojë takime me kryeministrin dhe anëtarët e kabinetit qeveritar brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa Kosova të ketë një qeveri me mandat të plotë. Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “vendi i punës i kryeministrit Kurti është Kryeministria”, por sipas tij, “takime mund të mbahen edhe jashtë ndërtesës së Qeverisë”.
“Kushdo që kërkon takim me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, duhet të vijë në vendin ku punon kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk mban takime pune edhe jashtë zyrës së tij, por për këtë duhet të ketë dakordim të palëve”, theksoi zëdhënësi Kryeziu, duke shtuar se takime jashtë mjediseve të Kryeministrisë kanë ndodhur edhe në të kaluarën gjatë kohës sa Kurti ka qenë kryeministër me mandat të plotë.
Mediet në Kosovë publikuan një letër të datës 8 gusht, përmes së cilës shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e ka informuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se në këtë përfundim kanë ardhur pas “aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës të datës 25 qershor” dhe se BE-ja “ka përshtatur praktikat e saj të angazhimit në përputhje me këtë vendim pas konsultimeve me të gjitha shtetet anëtare”. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës të datës 25 qershor e shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ku argumentoi se “nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”. Këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme Qeveria në detyrë e kishte cilësuar si “shqetësues dhe arbitrar”, duke i kritikuar ashpër me emër gjyqtarët e Supremes.
Në letrën e Bashkimit Evropian, thuhet se “në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me kryeministrin në detyrë dhe ministrat, brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të vijë një qeveri me mandat të plotë”. m.p.
