Last Updated on 03/05/2026 by Kesjana
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se më 6 dhe 7 maj do të zhvillohet në Tiranë aktivitetin që pararend Kongresin Botëror të Ligjit që do të mbahet vitin e ardhshëm.
Rama shprehet se Kongresi Botëror i Ligjit është një platformë e një niveli të lartë që mbledh liderë politikë, juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë të fushës së drejtësisë.
Sipas tij përzgjedhja e Shqipërisë si vend pritës për këtë platformë, lidhet drejtpërdrejtë me një vlerësim të lartë të reformës në drejtësi.
“Këtë javë Tirana do të kthehet në një pikë referimi për një nga temat më thelbësore për të ardhmen e vendit që është sundimi i ligjit. Më 6 dhe 7 maj do të presim aktivitetin që pararend Kongresin Botëror të Ligjit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në bashkëpunim me Shoqatën Botërore të juristëve.
Kongresi Botëror i Ligjit është një platformë e një niveli të lartë, nën patronazhin e Mbretit Felipe të Spanjës që mbledh liderë politikë, juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë të fushës së drejtësisë.
Por, përtej rëndësisë së vetë këtij evenimenti, përzgjedhja e Shqipërisë si vend pritës për këtë platformë, lidhet drejtpërdrejtë me një vlerësim të lartë të reformës në drejtësi dhe me fazën ku ndodhet sot ky transformim i afirmuar.
Reforma në drejtësi nuk ka qenë një proces i lehtë. Ajo ka kërkuar vullnet politik të hekurt, vendimmarrje të vështira dhe gatishmëri të jashtëzakonshme për ndryshime të thella.
Ky proces është bërë i mundur dhe sot e gjithë ditën garantohet nga shumica parlamentare e Partisë Socialiste. Prandaj fakti që Shqipëria bëhet mikpritëse e një platforme të tillë globale për sundimin e ligjit është një motiv krenarie për të gjithë, por posaçërisht për ne, qeverinë e kësaj shumice”, tha Rama. /kb
